NJSI proteston sot, i bashkohet edhe Sindikata e Policisë

07:57 | 09 Dhjetor 2023
njsi-proteston-sot,-i-bashkohet-edhe-sindikata-e-policise

Njësia më elitare e Policisë së Kosovës, NJSI, do të protestojë sërish sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Protesta do të mbahet në orën 12:00 dhe asaj do t’i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, raporton Front Online.

Këtë e ka konfirmuar Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri. Ai ka thënë se gjatë protestës do të bëhen të ditura edhe kërkesat e tyre.

“Po, do të jemi në protestë edhe Këshilli Drejtues i Sindikatës, ku do t’i publikojmë edhe kërkesat tona”, ka thënë Zeqiri, për Front Online.

Ndryshe, pakënaqësitë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë i kanë nxjerrë në rrugë, edhe më 1 nëntor, pjesëtarët e Njësive më Elitare të Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME).

Të veshur në uniforma, por pa armë, ata protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës me tri kërkesa kryesore: kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe që të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Një tjetër protestë u paralajmërua nga ta më 7 nëntor, por po atë ditë Policia njoftoi se protesta është pezulluar përkohësisht. Ky vendim erdhi pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.

Takimi mes tyre u mbajtë, por pa ndonjë rezultat, që si rrjedhojë vjen edhe protesta e sotme./Front Online

Komento: