“Nuk ndihem fajtore, dihet kush e ka kryer vrasjen”, ish-vjehrra e Arlinda Zekajt del me pranga nga gjykata

21:54 | 24 Nëntor 2026

Nurije Sylaj, ish-vjehrra e Arlinda Zekajt, ka dalë nga objekti i gjykatës me pranga në duar, duke tentuar ta mbulonte fytyrën nga kamerat e mediave.

E pyetur nga gazetarët nëse ndihet fajtore për vrasjen e Arlindës, të cilën dyshohet se e kreu djali i saj, Albert Sylaj, ajo ka mohuar çdo përgjegjësi.

“Nuk ndihem fajtore, dihet kush e ka kry”, u përgjigj Nurije Sylaj.

Ajo dyshohet nga Prokuroria se ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke e fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën, si dhe duke përcjellë lëvizjet e saj.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj kanë ndihmuar në kryerjen e vrasjes, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohet se e kanë ndihmuar Albert Sylajn pas kryerjes së veprës penale.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Nurije Sylaj, me dashje, ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e vrasjes së dyshuar të kryer nga Albert Sylaj.

Ajo dyshohet se, që nga 22 tetori 2026, kur Arlinda Zekaj ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, e kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht atë. Sipas Prokurorisë, fotografitë dhe videot që pasqyronin praninë dhe lëvizjet e viktimës i kishte siguruar dhe ruajtur në telefonin e saj mobil.

Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i cili dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nurije Sylajt.

Komento: