OBSH alarmon, bën thirrje për shtim të masave në Evropë

12:58 | 07 Janar 2021

OBSH’ja bën thirrje për shtim të masave në Evropë.

Evropa duhet të bëjë më shumë përballë një situate alarmante të përkeqësuar nga qarkullimi i një varianti të ri të Covid-19 të zbuluar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ky është apeli i bërë sot nga drejtori i OBSH-së për Evropën Hans Kluge.

Ai ripërsëriti zbatimin e masave të distancimit dhe higjienës, për të zvogëluar transmetimin dhe për të shpëtuar jetë.

“Ka masa themelore që ne të gjithë i dimë dhe që duhet të rriten për të zvogëluar transmetimin, për të zvogëluar barrën e shërbimeve shëndetësore dhe për të shpëtuar jetë. Këto masa së bashku me testimin adekuat, karantinën dhe izolimin dhe vaksinimin, do të funksionojnë nëse përfshihemi të gjithë”, tha Kluge.

Duke folur në një konferencë shtypi, Hans Kluge, e quajti situatën aktuale një pikë kthese në rrjedhën e pandemisë, pasi Evropa u sfidua si nga rastet e rritura ashtu edhe nga llojet e reja të virusit që shkakton Covid-19 .

“Kjo është një situatë alarmante, që do të thotë se për një periudhë të shkurtër kohe ne duhet të bëjmë më shumë sesa kemi bërë dhe të intensifikojmë shëndetin publik dhe masat sociale për të qenë të sigurt se mund të rrafshojmë vijën e pjerrët vertikale në disa vende,” tha Kluge, duke iu referuar kryesisht variantit të ri të zbuluar së pari në Mbretërinë e Bashkuar.

“Pa kontroll të shtuar për të ngadalësuar përhapjen e tij, do të ketë një ndikim të shtuar në shëndetësi që është tashmë e stresuar dhe nën presion”, tha Kluge.

Evropa është goditur rëndë nga pandemia Covid, me më shumë se 27.6 milionë raste dhe 603000 vdekje, sipas OBSH-së./A2CNN

Komento: