Ohër: Synohet nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi

15:35 | 18 Mars 2023

Takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, synohet nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po zhvillojnë takime sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar rrugët dhe ritmin e zbatimit të një plani perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ndërmjetësues të takimit janë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit është i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në tryezë të diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ka pranuar komente nga Kosova dhe Serbia lidhur me udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian.

Ai tha se gjatë bisedimeve të sotme do të punohet për “një version të konsoliduar të aneksit, mbështetur në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj që Kosova dhe Serbia do të bien dakord me rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve. Ky aneks për zbatimin do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, pasi ne do të saktësojmë se si do të zbatohen dispozitat e saj”, tha zoti Borrell, duke shfaqur shpresën se në Ohër do të ketë një mundësi të veçantë që Kosova dhe Serbia të përparojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve. “Sytë e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor janë në Ohër sot”, shkroi ai të shtunën.

Komento: