Meqë jemi në javën e shëndetit mendorë, por, më shumë i nxitur nga entuziazmi i disa miqve të mi që i kishin parë disa psikologë të ftuar në emisionin “Oxygen” të Besim Dinës, të cilët fuqishëm më sugjeruan që t’i shikoj edhe unë, dua të them disa fjalë për psikologët show-men, që po i servohen popullit tonë si “profet” të mendjes.
Një gjë duhet ta kemi parasysh të gjithë: profecitë kanë ekzistuar edhe para profetëve. Njerëzimi, deri më pak se 3 mijë vite më parë, mitologjinë e ka pasur referencë kryesore për të kuptuar dhe shpjeguar gjërat në jetë. Madje, thuhet se edhe Senati i Romës, për çështjet me rëndësi të madhe, gjithnjë merrte këshillat e orakullit të Delfit, të Jupiter Hammonit, ose atij të Dodonës.
Në Greqinë e lashtë për shembull, pushtetin e dijes e zotëronin zotat e Olimpit. Ndërkaq, përpjekja e filozofeve të vjetër grekë për ta zbritur atë pushtet nga mali (Olimp) në qytet (Athinë) ishte shoqëruar edhe me ekzekutime. Kështu për shembull e kemi rastin e dënimit me vdekje të Sokratit me pretendimin se ai po i indoktrinonte të rinjtë e Athinës. Përkundër këtyre represioneve, roli i filozofisë së lashtë greke është i pamohueshëm. Ajo ishte gurthemel i dijes që filloj të shfaqej në periudhën e renesancës (shekulli 17-të), periudhë kjo që mundësoj lindjen dhe zhvillimin e revolucioneve politik dhe industrial (shekulli 19-të), e se fundmi edhe atë shkencorë-teknologjik (shekulli 20-21), të cilin po e kemi fatin ta përjetojmë ne vet.
Pra, për njerëzimin, historikisht, mitologjia dhe religjioni kanë qenë dy referencat kryesore për të kuptuar dhe shpjeguar gjërat në jetë. Shkenca ka lindur shumë vonë. Madje, shkenca për sjelljen dhe mendjen edhe më vonë. E gjithë kjo përvojë kolektive ka lënë gjurmë tek secili individ dhe secila shoqëri. Madje, në shoqëritë ku dija filozofike dhe shkencore ka arritur më vonë dhe me më vështirësi, gjurmët e mitologjisë dhe religjioneve janë më të fuqishme. Të vonë e kemi fatin të jemi edhe ne shqiptaret. Sa për informacion, shkolla e parë shqipe në Korçë është themeluar në vitin 1887, ndërkaq në Kosovë thuhet se erdhi rreth 20 vite më vonë; Standardizimi i alfabetit të gjuhës shqipe është bërë në vitin 1908; Universiteti i Prishtinës është themeluar në vitin 1970; ndërkaq, Departamenti i studimeve të psikologjisë në Kosovë ende nuk i ka mbushur 20 vite. Shto këtu edhe faktin që, shoqëria jonë, për arsye të ditura, përveçse e paarsimuar, ballafaqohet me probleme të shumta psikologjike. Nga ato pak hulumtime që janë bërë në Kosovë pas luftës, dihet se prania e çrregullimeve psikologjike, veçmas e traumave, ankthit dhe depresionit, është shumë e lartë. Kjo mbase edhe e shpjegon ngarendjen e njerëzve për të përfituar nga këshillat dhe udhëzimet e psikologeve profetik në televizione. Kur njeriu është i sëmurë, ai kërkon ilaç!
Në botën e zhvilluar, shërues të çrregullimeve mendore, mbi të gjithë, janë psikiatrit dhe psikologët. Në Kosovë, ballafaqohemi me një realitet tjetër. Përveç prijësve fetarë, hapësirë dhe rol të madh kanë zënë dhe vazhdojnë të zënë edhe falltorët. Madje, nganjëherë, është shumë e vështirë që t’i dallojmë të parët nga të dytët. Të gjithë e dimë që shërues kryesor i “sëmundjeve shpirtërore” në Kosovë është hoxhë Burdushi, ndërkaq, këshilltari më i famshëm i mendjes është psikologu, Daut Demaku. E vërteta është se, përderisa i pari nuk është hoxhë, aq më pak i dyti është psikolog.
Për mendimin tim, nuk po dalluakan shumë as këta psikologët show-men të “Oxygenit”, të cilët mbase mund të kenë të mbaruar ndonjë shkollim formal në fushën e psikologjisë. Megjithatë, kushdo që përpiqet ta prezantoj psikologjinë si diçka që arrin të bëj mrekulli, ndërkaq vetën si udhërrëfyes të arritjes së asaj mrekullie, mund të jetë gjithçka tjetër, përveç psikolog. Është rrëqethëse kur e dëgjon dikë, që pretendon të jetë psikolog, se me teknikat e tij ai mund të shëroj edhe sëmundje të tilla si diabeti e kanceri. Ata pretendojnë se dinë të të tregojnë se si arrihet lumturia, madje edhe se si të bëhesh i pasur. Dhe, si shembull kryesor për këtë e marrin vetveten, gjegjësisht shëndetin, lumturinë dhe suksesin e tyre. Pra, kemi të bëjmë me një përpjekje për ta glorifikuar psikologjinë dhe vetën si psikologë. E, për ata që e dinë ABC-në e psikologjisë, përpjekje të tilla indikojnë diçka shqetësuese. Nëse një psikolog tenton të jetë udhërrëfyes, ai po tenton të jetë profetik.
Psikologu që punën e vet e bazon në dijen e avancuar shkencore nuk mund të jetë as udhëzues dhe as profetik. Psikologët nuk mund të jenë këshilltar të jetës, ngaqë ata janë të specializuar vetëm për një fushë specifike të jetës. Psikologët këshillues nuk janë për të dhënë këshilla. Në fakt, në vend që të flasin shumë, ata duhet të dëgjojnë me shumë vëmendje dhe të përpiqen që të kuptojnë personin dhe situatën në të cilën gjendet personi që kanë përballë dhe, mbi bazën e atij kuptimi, t’i mundësojnë atij që të gjej rrugën e vet për të dalë nga gjendja e pakëndshme në të cilën është gjendur, apo në rastin më të mirë, për t’u zhvilluar edhe më shumë në drejtimin që ai person aspiron.
(Autori është kandidat për doktoraturë në fushën e psikologjisë)