Osmani bisedon me homologun izraelit: Kosova e përkushtuar për ta thelluar bashkëpunimin me Izraelin

13:06 | 21 Mars 2023

Potenciali i rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, ishin ndër temat për të cilat presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka biseduar të martën me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog.

“Në këtë bisedë telefonike në mes të krerëve të shtetit të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit, të dy liderët kanë biseduar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësinë e thellimit të tyre. Presidentja Osmani dhe Presidenti Herzog, diskutuan për potencialin e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, ndërsa vlerësuan lartë partneritetin në rritje në mes të dy vendeve. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit diplomatik, për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas njoftimit, Herzog ka falënderuar Osmanin për mbështetjen e Kosovës dhe e ka ftuar për vizitë zyrtare në Izrael.

Izraeli është shteti i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovës, pas Marrëveshjes së Washingtonit. Izraeli zyrtarizoi njohjen më 1 shkurt 2021.

Komento: