Paraburgim 30 ditë për personin që dyshohet se dogji shtëpinë e redaktorit të RTK-së

19:19 | 20 Mars 2023

30 ditë paraburgim për personin që dyshohet se dogji shtëpinë e redaktorit të RTK-së.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin A.L. i cili dyshohet se ka kanosur dhe i ka djegur shtëpinë redaktorit të RTK-së, Alban Selimi.

Gjykata ka bërë të ditur me anë të një komunikate se vendimi është marrë pas kërkesës së prokurorit. I dyshuari është i njohur edhe për disa vepra tjera penale.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse i pandehurit A.L gjendet në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes së tij dhe mund të pengon sigurimin e prezencës së tij në procedurën penale” – thuhet në komunikatë.

“Gjykata ka vlerësuar se duke pasur parasysh karakteristikat e tij personale, pasi që i pandehuri A.L është recidivist i gjykuar dhe i dënuar me aktgjykime të plotëfuqishme për vepra të ndryshme penale, ekziston rreziku se i pandehuri po të gjendet në liri, do të përsëris veprat penale apo do të kryej veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej” – thuhet në njoftimin për media të Gjykatës.

Lajmin për djegien e shtëpisë e kishte bërë të ditur vetë Selimi para disa ditëve me anë të një statusi në Facebook. Policia kishte arrestuar të dyshuarin vetëm pak kohë më pas.

Komento: