Partneriteti me ShBA-në/ Ish-bashkëpartiakët e Kurtit: Moment alarmi, por Amerika duhet ta kuptojë që Kosova është e lirë

15:03 | 16 Shkurt 2024
partneriteti-me-shba-ne/-ish-bashkepartiaket-e-kurtit:-moment-alarmi,-por-amerika-duhet-ta-kuptoje-qe-kosova-eshte-e-lire

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffry Hovenier të enjten ka vënë në pikëpyetje partneritetin mes të dyja vendeve.

Ai në një deklaratë për media tha se situata me dinarin e ka dëmtuar partneritetin e SHBA-së me Kosovën.

Kjo deklaratë e tij ka hedhur poshtë atë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka dhënë dy ditë më parë duke thënë se çështja e dinarit nuk po rrezikon partneritetin me ShBA-të.

Për këto deklarata të cilat janë në kundërthënie me njëra tjetrën për Front Online, kanë folur ish-bashkëpartiakë të kryeministrit Kurti.

 

Abazi: Deklarata e Hovenierit për partneritet-moment alarmi për Qeverinë dhe Kurtin

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi thotë për Front Online se sa i përket partneritetit me ShBA-të asnjëherë nuk është dhënë ndonjë deklaratë me e qartë dhe më e drejtpërdrejtë sesa ajo e ambasadorit amerikan Hovenier.

“Ai ka qenë eksplicit, nuk ka lën hapësirë fare për interpretim dhe mendoj se është moment alarmi për rishikim nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit Kurti për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Abazi për Front Online.

E, dëmtimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas Abazit do t’i kushtoj kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij.

“Unë mendoj se do i kushtoj kryeministrit Kurti dhe Qeverisë e jo Kosovës përtej asaj duke pas parasysh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lobi shqiptar në Amerikë janë në nivelin e njëjtë të seriozitetit për sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka thënë ai.

 

Humolli: E pranuam edhe Specialen, por tash po ofendohemi e po poshtërohemi për luftën çlirimtare

Fatmir Humolli, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje tani deputet i pavarur, deklaron për Front Online se ambasadori amerikan Hovenier duhet të ketë respekt ndaj klasës politike kosovare.

Dhe nëse dëshiron të ketë partneritet jo të gjitha gjërat sipas tij duhet të bëhen publike.

Sipas tij, Kosova ka dëgjuar Amerikën edhe për themelimin e Gjykatës Speciale.

E, pikërisht kjo sot po ofendon luftën çlirimtare të Kosovës dhe historinë e kombit.

“Për mendimin tim ku nuk i kemi dëgjuar amerikanët kur na kanë quajtur terrorista ne kemi vazhdua luftën dhe në të njëjtën kohë e kemi detyruar Amerikën me bombardua Serbinë. Dëgjimi bllanko, dëgjimi i pavlerësuar shpesh herë e ka vendos popullin tonë në pozitë të keqe. Sikurse, është tash rasti me Gjykatën Speciale që është ofendim për luftën çlirimtare të Kosovës, është poshtërim që po i bëhet historisë së kombit tonë, dhe ambasadorët shkojnë e vijnë. Ata shpesh herë nuk i vlerësojnë hapat më tutje çfarë ndodhë”, është shprehur Humolli për Front Online.

Sipas tij, pavarësisht që Serbia është shteti që ka kryer luftëra në Ballkan, amerikanët po  lavdërojnë këtë të fundit, derisa po e godasin Kosovën.

“Ne kemi përballë një Serbi e cila për fat të keq është një shtet që amerikanët shpesh herë po e lavdërojnë dhe duke e lavdëruar Serbinë, derisa Serbia i ka bërë të gjitha luftërat në Ballkan edhe tash prapë duhet me u godit Kosova, pra duhet me u godit ne si shqiptarë”, ka shtuar Humolli për Front Online.

 

Humolli: Klasa jonë politike dhe amerikanët duhet ta kuptojnë që Kosova nuk është ajo e vitit 1999

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli derisa ka folur për deklaratat e ambasadorit Hovenier sa i përket partneritetit me Kosovën, ka thënë se duhet të kuptohet që Kosova nuk është më ajo siç ka qenë në vitin 1999.

Sipas tij, nëse Amerika dëshiron të ndërtojë partneritet me Kosovën duhet të sillet konform asaj që shteti i Kosovës është i lirë.

“Është një periudhë krejt e re, dhe këtë duhet me kuptu edhe amerikanët edhe klasa jonë politike që Kosova më nuk është ajo e vitit 1999. Nëse dëshirojnë me ndërtu partneritet me Kosovën ata duhet të sillen konform asaj që ne jemi të lirë dhe duhet me qenë të lirë. Nëse mendojnë atëherë pse po bëhen zgjedhjet në Kosovë, le të udhëheq ambasada amerikane dhe le të bën Kuvendin, le ti bëj krejt. Pse, me i mashtru ne qytetarët për zgjedhje të reja edhe mos me i kry detyrat që i kemi marrë për qytetarët”, ka pohuar Humolli.

 

Çështja e dinarit/ Humolli: Është absurde të pyetet pse po zbatohet ligji

Kurse sa i përket vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit deputeti Fatmir Humolli ka thënë se është absurde të bëhet pyetja pse po zbatohet ligji.

Ai, thotë se ka më shumë se 20 vjet ku përmes tij është bërë krim i organizuar nga serbët.

“Është absurde kjo me bo pyetje pse po zbatohet ligji. Që 20 vjet e më shumë është dinari këtu dhe përmes tij bëhet krimi i organizuar serb dhe këta ende po besojnë që duhet me vazhdu qashtu”, është shprehur deputeti Humolli për Front Online.

Sipas tij bashkësia ndërkombëtare nuk po dëshiron ta kuptojë që Kosova është çliruar nga Serbia.

“Klasa jonë politike po ka qejf me thënë që jemi çliru, por bashkësia ndërkombëtare po thotë që ne jemi nda. Edhe këtu duhet me diskutu me amerikanët me thonë: A po mendoni ju që ne jemi nda prej Serbisë apo jemi çliru? Nëse jemi çliru atëherë është krejt në tjera kondita, por klasa jonë politike po sillet sikur na jemi nda me Serbinë, sikur dy vëllezër që ndahen mes vete për shkak që munden me pas ndonjë problem, por ne nuk jemi nda prej Serbisë por jemi çlirua prej saj”, ka shtua ai.

Por, Humolli nuk lë pa hedhur kritika edhe ndaj Qeverisë aktuale.

“E, tash krejt problemet politike që janë grumbulluar me vite të tëra tash është përballë një qeveri që është shumë naive që me vjet nuk e ka vlerësuar drejt këtë periudhë të naivitetit ë klasës tonë më të hershme politike, ka hy në rrugën e njëjtë sikur ata tjerët. Me mjete të njëjta nuk ka mundësi me u këndell”, ka deklaruar Humolli./Front Online.

Komento: