Pas kërkesës së AKK-së, Murati thotë se kanë ndarë buxhet rekord për komunat për vitin 2023

17:47 | 09 Gusht 2022

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se kanë ndarë buxhet rekord për komunat në vitin 2023.

Murati thotë se për vitin 2023, buxheti që t’u ndahet komunave është 15 për qind më i lartë sesa buxheti i vitit 2022.

“MFPT ndan buxhet rekord për komunat në vitin 2023. Për vitin 2023, buxheti që do t’u ndahet komunave është për 15% më i lartë sesa buxheti i vitit 2022. Kjo është rritja më e madhe vjetore që ka ndodhur ndonjëherë, dhe vjen falë performancës së mirë në rritjen e të hyrave në buxhetin e shtetit”, ka thënë Murati.

Ai potencoi se do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave.

“Pra do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave, ashtu që ato të ofrojnë më shumë shërbime për qytetarët. Pretendimet se ka bllokim të buxheteve komunale, janë shpifje dhe aspak të vërteta. Secila komunë, për vitin aktual ka buxhetin e miratuar dhe mund të ekzekutojë pagesat pa asnjë problem”, shtoi ai.

“Ndërsa qarkorja buxhetore për vitin 2023 ndahet me kohë, dhe çdoherë brenda afateve që parashihen me legjislacion. Vetëm dikush që nuk merr vesh fare në procesin buxhetor, mund të pretendojë se qarkoret për vitin 2023 po bllokojnë investimet në vitin 2022”.

Ndërkohë, dje bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar urgjentisht nga Ministri i Ministrisë së Financave dhe Tranfereve që të lëshoj Qarkoren e dytë Buxhetore.

Lëshimi i kësaj Qarkore ju mundëson Komunave të Republikës së Kosovës që të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor.

Komento: