Pas vendimit të Kushtetueses, LDK kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Albulena Haxhiut

21:02 | 24 Mars 2023

“Dështimi i radhës për kapje të shtetit”. Kështu e ka definuar Lidhja Demokratike e Kosovës vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta hedhur poshtë Ligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në reagimin e LDK-së, thuhet se Kushtetuesja i pranoi vërejtjet e partisë se ky ligj ishte kundërkushtetues.

“Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër kushtetues, rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”, thuhet në reagim.

“Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë”.

Pas këtij vendimi, LDK ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministres Albulena Haxhiu, “si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë”, vazhdon komunikata.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në lidhje me kërkesat e PDK-së dhe LDK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në një komunikatë për media, Kushtetuesja ka bërë me dije se është konstatuar që pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe nenit 8 nuk janë në përputhje me Kushtetutën, konkretisht, me paragrafin 1 ku flitet për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushteteve.

Komento: