Pavarësisht lëkundjeve, LDK-ja e AAK-ja thonë se koalicioni qeverisës ka qëndrueshmëri

19:37 | 11 Gusht 2020

LDK-ja e AAK-ja thonë se koalicioni qeverisës ka qëndrueshmëri pavarësisht lëkundjeve.

Tash e një kohë dy partnerët e koalicionit qeverisës, LDK e AAK, nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për shumë çështje madhore brenda Ekzekutivit.

Zënkat e para nisën me emërimin e Skënder Hysenit të LDK-së, koordinator shtetëror për dialogun me Serbinë dhe mospërfshirjen e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, në takimet mes kryeministrit Avdullah Hoti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.

Përveç dialogut, kryeministri Hoti kritika nga AAK-ja mori edhe me rastin e hyrjes së xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, raporton KOHA.

Deputetja e Aleancës, Albena Reshitaj, ka konfirmuar se AAK-ja vazhdon të jetë kundër dialogut teknik që ka nisur LDK-ja, dhe se pret nga kjo parti që këtë proces ta kthejë në dialog politik.

Derisa presin reflektimin e LDK-së mbi çështjet që i kanë ngritur, AAK-ja konsideron që situata ende nuk është serioze sa të lëkundet ose edhe të prishet koalicioni.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë optimistë që partneriteti me AAK-në nuk mund të prishet lehtë. Deputetja e kësaj partie, Valentina Bunjaku, thotë se krerët e partive përmes takimeve do të mundohen të gjejnë zgjidhje për problemet që kanë pasur së fundmi.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje në një deklaratë për televizionin kanë theksuar se mocioni që kanë ngritur është rezultat edhe i prishjes së raporteve brenda koalicionit qeverisës.

“Mocioni i mosbesimit mbështetet paraprakisht në ndryshimin e rrethanave dhe raporteve politike në Parlament. Kështu që ne konsiderojmë se ka ndryshuar ky raport edhe mes partnerëve qeverisës. Përveç kësaj, është rritur edhe arsyeja për të pasur edhe zgjedhje të lira dhe një ndër mjetet për të shkuar te zgjedhjet është mocioni i mosbesimit”, thuhet në përgjigjen e VV-së.

Komento: