Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, ka folur mbi deklaratën e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili ditë më parë tha se Kosova është shtet i përkohshëm.
Deda tha se Aliu i përket rrymës politike e cila është për bashkim kombëtar, por si ministër i Qeverisë së Kosovës nuk është dashur ta bëjë një deklaratë të tillë.
“Shumë më shumë i ka bërë dëm Albinit, Vjosës e të gjithë qeverisë e edhe pozitës në të cilën gjendet Kosova, por është bindje e tij. Tash, ai duhet të vendosë vet se si duhet të vazhdojë. Pas asaj deklarate s’është dashur të sillet sido, sepse edhe serbët në Kosovë të dalin e të thonë që ‘Kosova është shtet i përkohshëm’, ‘Kosova është Serbi’ e gjëra të tilla”, tha Deda në Rubikon në Klan Kosova.
Deda më tutje tha se në deklaratën e Aliut se Kosova është shtet i përkohshëm s’ka parë logjikë.
“Në këtë situatë kur thua se dua njohje prej Serbisë, pesëshes evropiane, dua me qenë anëtar i BE-së, NATO-s e në organizata të tjera, dhe vetëm njohja eksplicite me Serbinë e bën paqen në Ballkan, atëherë çka po të duhet kjo deklaratë me u dhënë”, tha ai.
Deda ka thënë se më kurrë nuk e mendon kthimin në politikë pasi e ka ndërprerë atë para më shumë se pesë vjet.
Ai ka pohuar se ka qenë një njeri naiv për politikën në Kosovë.
“Ai vendim është më i miri që e kam marrë, me kalimin e kohës jam shumë rehat me atë vendim, njeriu duhet ta dijë kur është mjaft dhe boll. Filmi i pjesëmarrjes në politikë ka përfunduar para më shumë se katër vjetëve dhe nuk ka vazhdim ai film më”.