Sipas tij, mospjesëmarrja e deputetëve të partisë në pushtet përveç se është duke e penguar funksionalizimin e plotë të këtij komisioni, ngre dyshime se ka diçka për të fshehur.
“Mosjetësimi i vullnetit politik të shprehur gjatë seancës përkatësisht votimit, përveç se e pengon punën dhe ngre dyshime, e cenon edhe interesin publik dhe besimin e qytetarëve në institucione. Deputetët e partisë në pushtet në kuadër të arrogancës së numrave janë duke e sabotuar punën parlamentare, përkatësisht duke e minuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit”, u shpreh Cakolli.
Ai mes tjerash tha se me mospjesëmarrjen e tyre pozita mund ta sabotojë punën, por nuk ka asnjë dispozitë konkrete që parasheh ndonjë pasojë.
“Por, pasoja më e madhe është shkelja e ligjit për hetimet parlamentare. Ky ligj parasheh mundësinë e largimit të anëtarëve të komisionit. Pra, anëtarët që mungojnë pa arsye tri herë radhazi në mbledhjet e komisionit, ata duhet të zëvendësohen. Por, problemi qëndron që nuk mund të evidentohen as mbledhjet si të tilla pa u konstituuar komisioni parlamentar”.
“Ligji parasheh edhe afat për mbajtjen e mbledhjeve dhe përcakton në mënyrë të qartë se mbledhja e parë e komisionit duhet të thirret nga kryesuesi brenda 14 ditëve nga dita e vendimit të Kuvendit për formimin e komisionit e kjo pikë është duke u shkelur qëllimshëm nga deputetët e shumicës parlamentare”, përfundoi Cakolli.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, por e njëjta nuk është përgjigjur në telefonata.
Ndryshe, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas dyshimeve për abuzime të mundshme.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar në gusht të këtij viti nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.