Përfundon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca e radhës me 11 prill

11:23 | 05 Prill 2023

Ditën e sotme ka përfunduar seanca ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë ditës së sotme është dhënë fjala hyrëse nga mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi e cila ka kundërshtuar provat e ZPS-së.

Avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka thënë se ajo që ka prezantuar prokuroria kundër klientit të saj nuk ka të bëjë asgjë me të. Ndër të tjera ajo ka thënë se Krasniqi ka pasur rolin ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe se një zëdhënës nuk mund të përfshihej në çështjet operacionale ushtarake.

Pas përfundimit të fjalës hyrëse të avokates Alagendra, edhe Krasniqi ka dhënë fjalën e tij hyrëse në të cilën ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat për të cilat po akuzohet nga Gjykata Speciale në Hagë dhe se ndaj popullit shqiptar në Kosovë vazhdimisht është ushtruar dhunë sistematike, vrasje dëbime dhe askush nuk mund të thotë se ai ka bërë ndonjë nga këto krime.

Ndryshe pas dëgjimit të mbrojtjes së Krasniqit, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së ka kërkuar të ndryshohet renditja e dëgjimit të dëshmitarëve, për ta mundësuar dëgjimin e mëhershëm të dëshmitarit numër 3.

Por ky propozim është refuzuar nga Gjykata e cila i ka kërkuar Zyrës së Prokurorit që të tregojë afatin sa kohë i duhet për të dëgjuar të gjithë dëshmitë e dëshmitarëve.

Ndërsa nga mbrojtja është kërkuar që brenda ditës të përcaktojë periudhën kohore se sa kohë do të marrë marrja në pyetje e 12 dëshmitarëve të parë. Kërkesën e njëjtë gjyqtari e ka pasur edhe për Prokurorinë, por për t’u përgjigjur pas dëgjimit të dëshmitarit të parë.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 11 prill.

Komento: