Përfundon vizita e Gucatit në Kosovë, kthehet në Hagë

20:00 | 03 Korrik 2022

Ai për pak orë ka qëndruar në Kosovë.

Hysni Gucati, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në ora 18:00 është nisur për t’u kthyer për në Hagë, ku po mbahet i burgosur.

Atij, të dielën i është mundësuar të kthehet në Kosovë, pasi nëna e tij është e sëmurë dhe gjendet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në një video të siguruar nga T7, shihet teksa Gucati doli nga spitali ku është takuar me nënën e tij.

Pos me nënën, Gucati për një orë raportohet të ketë qëndruar edhe me pjesën tjetër të familjes, në zyrat e EULEX-it, Prishtinë.
Më pas ai është dashur të kthehet në Hagë, ku mbahet i burgosur për “ndërhyrje në drejtësi”.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale.

Kështu do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, rreth dy vjet, e si rrjedhojë do të qëndrojnë në burg edhe 2 vjet e gjysmë.

Gucati e Haradinaj ishin kundër votimit të Gjykatës Speciale në vitin 2015.

Komento: