Përgjegjësia për dëbimin e shtetasve turq i bie Thaçit

20:08 | 24 Qershor 2019

Njëzeteshtatë dëshmitarë janë intervistuar nga komisioni, i cili ka konstatuar 31 shkelje ligjore e kushtetuese në procesin e dëbimit të turqve. Gati një vit e gjysmë pas dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin e Komisionit Hetimor, që e hetoi mënyrën e dëbimit të tyre nga shteti.

Aty janë përmendur deklarimet kundërthënëse dhe deklarimet e rrejshme të dëshmitarëve që janë zyrtarë të lartë shtetërorë, raporton KTV.

Raporti përfshin ndër të tjera edhe dëbimin gabimisht të njërit nga gjashtë shtetasit turq, pavarësisht se organet e rendit ishin në dijeni që po dëbohej një tjetër person.

Presidenti Hashim Thaçi, nga deputetët u quajt dirigjent i gjithë kësaj ngjarjeje, ani pse emri i tij si urdhërdhënës nuk përmendet askund në raport.

Në fund, përmes një mocioni të propozuar nga Vetëvendosje, deputetët e Kuvendit u pajtuan që të mos debatohet më gjatë, por të votohet raporti i komisionit hetimor, e kundër kësaj ishin PSD-ja dhe Nisma.

Megjithatë, në fund ky mocion u votua, duke i hapur rrugë edhe votimit të raportit, i cili mori 59 vota për, 2 kundër dhe 4 abstenime.

Herë-herë gjatë seancës devijoi debati nga dëbimi i shtetasve turq, e debat pati edhe rreth Ligjit për Sponsorizim.

Komento: