Përhapja e koronavirusit, Ylli i Barcelonës vjen me mesazh të fuqishëm

21:04 | 17 Mars 2020

Koronavirusi është përhapur në shumë vende të botës.

Ylli i Barcelonës, Luis Suarez, u ka bërë thirrje qytetarëve ta bëjnë pjesën e punës së tyre për të ndihmuar në parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit duke i ndjekur këshillat e autoriteteve mjekësore.

Sulmuesi uruguaian e postoi një video në Instagram për t’i risiguruar tifozët në një kohë paniku të krijuar nga kjo pandemi, e cila ua ka marrë jetën më shumë se 7.800 njerëzve dhe i ka infektuar të paktën 194 mijë të tjerë në gjithë botën.

Shumë vende të botës i kanë ndalur tubimet publike dhe i kanë mbyllur bizneset duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda në shtëpitë e veta, në përpjekje për ta ndalur shpërndarjen e Covid-19.

Garat e futbollit nëpër botë janë pezulluar, pasi shumë lojtarë dhe trajnerë kanë diagnostikuar me këtë sëmundje.

Në Spanjë, vendin ku jeton Suarez, janë raportuar 11.178 raste me koronavirus dhe të paktën 491 të vdekur.

Në Kosovë, ndërkohë, numri i të prekurve me koronavirus ka shkuar në 19 të martën pasdite.

Suarez thotë se është jetësore që njerëzit t’i dëgjojnë këshillat e qeverisë dhe të qëndrojnë brenda për t’u siguruar se nuk e shpërndajnë apo marrin virusin.

“Përshëndetje të gjithëve, nga shtëpia ime në Barcelonë. Ju përqafoj fort dhe u jap forcë të gjithë njerëzve që po luftojnë me këtë virus, i cili na ka shqetësuar të gjithëve”, tha Suarez.

“Duhet ta kuptojmë se na takon neve ta përmirësojmë situatën. Nëse kujdesemi për veten, kujdesemi edhe për fqinjin dhe për tërë popullatën. Duhet të kujdesemi për higjienën sepse është shumë me rëndësi. Nëse të gjithë ne se bashku mund ta luftojmë këtë, të gjithë do të vazhdojmë ta shijojmë jetën, familjen dhe miqtë tanë. Ju përqafoj fort, mos harroni të qëndroni në shtëpi”, shtoi 33-vjeçari.

Komento: