Përjetësisht në kujtesën shqiptare – Bllaca ‘99

17:03 | 08 April 2019

Na ndajnë dy dekada nga episodet e tmerrit. Kampi i Bllacës ishte vazhdimësia e një gjenocidi shekullor, me vuajtje dhe spastrim etnik.

Sot, kur e kthejmë kohën pas, është pothuajse e pamundur të kuptohet se si ajo katastrofë humanitare u ngjiz në kontinentin e evropian në prag të mileniumit të ri.

Pas kampeve të përqendrimit ndaj hebrenjve, u tha “kurrë më s’do lejohet diçka e tillë”. Por, vula e kësaj djallëzie kaloi mbi trupa shqiptarësh.

Në kufirin me Maqedoninë, në Bllacë, viti 1999 po përmbyllte një cikël ku çnjerëzorja po gëlltiste trupa. Prapa këtyre trupave mbeteshin tokat e stërgjyshërve, ëndrrat, kujtimet, lotët, lindjet, dashuritë dhe varret. Mbesnin luftëtarët të cilët patën guximin t’i kthenin pushkën njërës prej ushtrive më të fuqishme në Evropë. Ishte Serbia ajo që donte me çdo kusht zhdukjen nga kjo tokë të një populli të tërë, vetëm pse ky popull ishte shqiptar.

Pasardhësit e Lekës, Pirros e Skënderbeut po vuanin; kishin mbetur pa shpi e pa atdhe, të detyruar të merrnin rrugët e botës, këmbëzbathur e barkthatë, me sy të shterur nga lotët…

Njëzet vite pas, një memorial trenash të cilët bartën mijëra shqiptarë, më ngjall një emocion të përzier. Kur e mendoj çfarë kemi kaluar, ndihem thellësisht i trishtuar; por kur e shoh që pas njëzet vitesh kemi një shtet, jam i lumtur. Le të jetë shenjë kujtimi për brezat që do vijnë vuajtja.

Mos të na humbas as një çast nga kujtesa momenti ku ishim dje, ku jemi dhe ku duam të shkojmë.
Faleminderit NATO-s dhe presidentëve Blair e Clinton të cilët na ndihmuan.

Viti 1999 shënon një kthesë për shqiptarët: bota e kuptoi se ky popull nuk ushtroi gjenocid dhe dhunë ndaj askujt, veçse qe i detyruar me mish e shpirt të luftojë për të jetuar me dinjitet në trojet e veta që u lanë trashëgim dhe amanet nga të parët.

Komento: