Përplasje mes trajnerit në detyrë te Barcelona dhe Coutinhos

10:34 | 07 Nëntor 2021

Doli në nxehje me përtesë, Barjuan riktheu sërish në pankinë Coutinhon dhe nuk e futi më.

Philippe Coutinho është blerja më e shtrenjtë në historinë e Barcelonës, megjithatë më shumë se për paraqitjen në fushë, është bërë protagonist me sjelljen, apo me thashethemet e merkatos.

Së fundi, braziliani ka përfunduar sërish në qendër të ciklonit mediatik, por edhe të tifozëve katalanë, pasi ka refuzuar ndonëse jo drejtpërdrejtë, të futet në fushë në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Celta Vigos.

Në minutën e 48’ Ansu Fati kërkoi zëvendësimin për shkak dëmtimi dhe Barjuan bëri shenjë nga Coutinho që të ngrihet për ta zëvendësuar, por braziliani e mori shumë me qetësi përgatitjen për nxehje.

Mjaftoi ky gjest që trajneri i përkohshëm i Barcelonës të kuptojë se braziliani nuk ka dëshirë të luajë dhe të ndërrojë menjëherë mendim, duke thirrur të riun Alejandro Balde, i cili zëvendësoi Ansu Fati.

Ndërkohë skena nuk mund të kalojë pa marrë vëmendje edhe nga trajneri i ri i Barcelonës, Xavi, që vështirë se do t’ia falë brazilianit këtë gjest, ndaj mund të kërkojë largimin e tij që gjatë merkatos së janarit.

Komento: