Pesë ditë fushatë zgjedhore në Podujevë dhe Mitrovicë Veriore

10:41 | 23 Tetor 2020

KQZ vendos, pesë ditë fushatë zgjedhore në Podujevë dhe Mitrovicë Veriore.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) sot ka vendosur që afati kohor i mbajtjes së fushatës zgjedhore të jetë pesë ditë, në Podujevë dhe në veri të Mitrovicës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se me 9 vota për dhe me dy kundër u votuan afatet kohore.

Ajo tha se afati kohor për mbajtjen e fushatës zgjedhore do të jetë pesë ditë, nga data 23 nëntor deri më 27 nëntor.

“Fushata zgjedhore është vendosur që të mbahet nga data 23 nëntor dhe përfundon më 27 nëntor, që i bie 5 ditë. 9 vota për dy kundër. Afatet do të publikohen në web faqen tonë”, ka thënë ajo.

Kundër afatit prej pesë ditësh ishte anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi i cili tha se fushata më e gjatë zgjedhore është në të mirë të qytetarit për shkak të situatës pandemike.

Ai tha se e mira e fushatës zgjedhorë në afat më të gjatë kohorë është se qytetarët mund të mblidhen në tubime më të vogla dhe kështu nuk rrezikohen dhe nga infektimi me COVID-19.

“Nuk shoh objektiva ligjore që të shkurtohen afatet ligjore. E vetmja e mirë e fushatës së gjatë është se lejohen tubimet më të vogla për shkak të pandemisë. Në një fushatë zgjedhore edhe kaq dhe PZAP kanë mundësi t’i përcjellin aktivitete zgjedhore. Nuk mund ta pranoj një plan operacional që shkurton afatet kohore”, ka thënë Kurteshi.

Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës tha se afati kohor prej pesë ditësh është i pranueshëm.

“Duke u bazuar në diskutimet publike, gjashtë muaj rresht është mbajtur fushatë në Podujevë. Është zhvilluar një fushatë në Podujevë në mars, dhe prej marsit e tutje ajo fushatë ka vazhduar të zhvillohet, siç po thonë. A është pesë apo dhjetë ditë nuk ka ndonjë rol. Deri tek pesë ditë afat është i pranueshëm edhe për qytetarët dhe për partitë politike”, ka thënë ai.

Ndryshe, komuna e Podujevës kishte mbetur pa kryetar Agim Veliu kishte dhënë dorëheqje pas emërimit ministër i Brendshëm. Zgjedhjet në këtë komunë ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të pandemisë COVID-19, Thaçi, pati vendosur t’i shtyjë ato.

Ndërkaq, edhe Mitrovica e Veriut pati mbetur pa kryetar pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë Hoti.

Komento: