
Ish-kryediplomati i Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë se fakti që ministri i Jashtëm rus do të shkojë në Serbi për vizitë zyrtare flet shumë.
“Shefi i propagandës ruse dhe ministri i Jashtëm Sergey Lavrov sapo ka njoftuar vizitën e tij në vendin kandidat të BE-së, Serbi, më 7 qershor, pak ditë para se kancelari gjerman të vizitojë edhe Kosovën, edhe Serbinë. Fakti që Lavrov mund edhe të udhëtojë, e lëre më të mirëpritet, thotë shumë”, ka shkruar Selimi në Twitter.
Pas një telefonate me presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje për blerje të gazit rus. Marrëveshja, e cila vjen në kohën kur shtetet perëndimore po shikojnë alternativa për të shmangur varësinë nga gazi rus, mori vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.
Marrëveshja për gazin pritet të nënshkruhet gjatë vizitës së Lavrovit në Beograd në qershor, një vizitë e rrallë nga një zyrtar i Kremlinit në një vend europian që kur filloi pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt.