Pleqtë në Malishevë e detyrojnë nipin të paguajë 45 mijë euro në emër të nderit, u akuzua për tradhti me një familjare

10:42 | 09 Maj 2022

Një rast jo fort i zakontë dhe skandaloz ka ndodhur në fshatin Carallukë të Malishevës, ku një burrë është detyruar nga pleqtë e lagjes të paguajë 45 mijë euro në emër të nderit, për shkak të dyshimeve që familja kishte ndaj tij për tradhti.

Një rast i tillë skandaloz, ku sanksionohet një person për shkak të nderit po ndodhë edhe në shekullin e 21-të, në vitin 2022 në Kosovë.

Sinjali raporton se gjithçka u zbulua pas raportimit të një rasti të dhunës në familje, nga një grua nga fshati Carallukë i Malishevës, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike.

Në dëshminë e dhënë nga viktima gjatë intervistimit para hetuesve policorë ajo ka deklaruar motivin e dhunës që ka pësuar nga burri i saj.

Dyshimi që ishte ngritur ka alarmuar gjithë familjen, për çka u paguan mijëra euro. Sipas burimeve të Sinjalit, viktima ka deklaruar para hetuesve policorë se familja e burrit e ka dënuar nipin me 45 mijë euro, në emër të rregullimit të raporteve për shkak të prishjes së nderit.

Posa është denoncuar ky rast, Policia është vënë në lëvizje dhe ka intervistuar vjehrrin e viktimës. Në deklaratën e tij për pretendimet e nuses, ai e ka pranuar se pleqtë e lagjes e kanë dënuar personin në fjalë më 45 mijë euro, si dëmshpërblim për kthim të nderit të familjes, me ç’rast ishin pajtuar që shuma e parave të paguhet dy herë radhazi.

Lidhur me rastin, është iniciuar rasti “detyrim” me urdhër të prokurorit kujdestar, ndërsa hetimet të vazhdojnë.

Komento: