Podujeva me platformë për ruajtjen e kujtesës kolektive për mësimin në vitet e ’90-a

16:40 | 11 Tetor 2023
podujeva-me-platforme-per-ruajtjen-e-kujteses-kolektive-per-mesimin-ne-vitet-e-’90-a

Komuna e Podujevës e ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin “SpaceSyntaKs” për ruajtjen e kujtesës kolektive për mësim gjatë viteve të 90-ta.

Sipas një njoftimi të Komunës së Podujevës, marrëveshja ka për qëllim identifikimin e vendndodhjeve të shtëpive shkolla, krijimin e databazës gjeografike të shtëpive – shkolla, për regjistrimin e memories kolektive, organizimin e diskutimeve publike me qytetarë dhe ngritjen e fondeve për punën hulumtuese dhe nevojat e platformës digjitale.

Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim në këtë Komunë ka thënë se kjo marrëveshje është nga bashkëpunimi me Institutin “SpaceSyntaKs” për plotësimin dhe zhvillimin e platformës digjitale e cila është platformë që i dedikohet ruajtjes së kujtesës kolektive për mësimin paralel në vitet e 90-ta në Kosovë.

Sipas njoftimit, marrëveshja është bërë sot nga drejtori i Arsimit, Avni Fetahu dhe drejtoresha e organizatës, Gresa Neziri.

“Marrëveshja përmban; identifikimin e vendndodhjeve të shtëpive shkolla, krijimin e databazës gjeografike të shtëpive-shkolla, mbledhja dhe digjitalizimi i materialit arkivor, identifikimi dhe intervistimi i personave të përfshirë në procesin e mësimit në shtëpi-shkolla për regjistrimin e memories kolektive, organizimin e diskutimeve publike me qytetarë dhe ngritja e fondeve për punën hulumtuese dhe nevojat e platformës digjitale. Marrëveshjen e bashkëpunimit e kanë nënshkruar drejtori i Arsimit, Avni Fetahu dhe drejtoresha ekzekutive e organizatës, Gresa Neziri”, thuhet në njoftim.

Komento: