Policia arreston një person të dyshuar që kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar, dyshohet se një kosovar e strehoi në shtëpi

21:26 | 08 Dhjetor 2023

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e Gëzim Çelës, i njohur në Shqipëri si “baroni i drogës”.

Policia tha se arrestimi u bë në një fshat në Ferizaj, pas një pune intensive operative në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet policore të Shqipërisë.

“Hetuesit policorë nga DHTN-ja kanë arritur që sot rreth orës 17:55, të lokalizojnë vend-ndodhjen e të dyshuarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. I dyshuari G.Ç., (mashkull shtetas i Shqipërisë), në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova”.

“Dyshohet se shtetasi i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të PK-së”, thuhet në njoftimin e policisë.Më tej, bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të Departamentit të Krimeve të Rënda në Ferizaj është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë, ku është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.

“Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Komento: