Policia e Kosovës: Nga nesër paradite fillon shqiptimi i gjobave 150 Euro për vozitësit e targave ilegale

19:06 | 21 Nëntor 2022

Në orët e para të mëngjesit, Policia e Kosovës do të nis me zbatimin e masës për shqiptimin e gjobave për qytetarët që kanë vetura me targat ilegale serbe.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka thënë se zbatimi i shqiptimit të gjobave do të filloj gjatë ndërrimit të paradites.

“Referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë këto zhvillime dhe në aspektin operacional bënë vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerrë masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës. Ashtu siç është bërë e ditur sipas vendimit për targat Nr.05/103, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntori, Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të filloj zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi, i cili sipas vlerësimit dhe planit policor pritet të filloj po në këtë datë (22.11.22) gjatë ndërrimit të paradites”, tha Kelani.

Masa e parë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS, ishte ajo e lëshimit të fletëqortimeve, e cila skadoi me datë 20 nëntor.

Ndryshe, takimi i sotëm mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqi me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, bëri që ky vendim të shtyhet ndaj edhe për një ditë, gjegjësisht për deri të martën.

Mirëpo, në takimin e sotëm tripalësh, nuk u arrit asnjë marrëveshje, ndërsa Borrell në konferencë për media, deklaroi se ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai cili nuk u pajtua me propozimet e BE-së për një zgjidhje për rrugën para për çështjen e targave, derisa tha se Presidenti i Serbisë pranoi që MPB-ja serbe të mos lëshojë më targa “KM” të tjera.

Shefi i diplomacisë evropiane gjithashtu tha se “ndonëse kjo mund të dërgojë sinjal negativ”, sipas tij, “ishte veçanërisht Kosova” ajo e cila nuk po i përmbush obligimet ligjore ndërkombëtare.

Komento: