Policia jep detaje për plagosjen e dy policëve në Skënderaj, ku dyshohet se u përfshi Nuredin Lushtaku me familjarë

09:37 | 03 Korrik 2022

Policia e Kosovës ka konfirmuar plagosjen e dy zyrtarëve policorë, mbrëmë në orët e vona në Skënderaj.

Njëri polic është plagosur me armë zjarri e tjetri është lënduar me mjete të forta.

Mediat raportojnë se në këtë ngjarje është përfshirë ish-nënkryetari i Skënderajt Nuredin Lushtaku me disa familjarë të tij.

Sidoqoftë, për rastin në fjalë janë arrestuar dy të dyshuar dhe dy të tjerë ndodhen në arrati.

Nuk dihet se kush nga personat e përfshirë në konflikt është prangosur.

Policët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa motivi i plagosjes së dyfishtë dyshohet se ka të bëjë me shqiptimin e një gjobe në trafik.

Njoftimi i plotë i policisë:

Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pike të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosour me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.

Të dy zyrtarët policorë janë jasht rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjeksorë.

Deri në këtë fazë dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.

Lidhur me rastin janë duke u ndermarr veprime operative dhe hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante.

Komento: