
Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët dhe institucionet për një e-mail mashtrues që po qarkullon në emër të ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, dhe Agjencisë së Kosovës për Siguri Kibernetike.
Në njoftimin zyrtar të publikuar të martën, Policia bën të ditur se e-maili është dërguar në adresa elektronike të institucioneve të ndryshme dhe në adresa personale.
Shkresa mashtruese përmban titullin “Raport: Krim Kibernetik/Droga të paligjshme” dhe pretendon se është dërguar nga Fehmi Hoti dhe Agjencia e Kosovës për Siguri Kibernetike.
Policia ka mohuar se dokumenti është lëshuar nga institucionet e përmendura.
“Lidhur me këtë ju njoftojmë se kjo shkresë nuk është lëshuar nga Policia e Kosovës (as nga drejtori i përgjithshëm), e as nga agjencia e potencuar, pra ky nuk është dokument zyrtar por një shkresë me përmbajtje mashtrimi”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në e-mailin mashtrues, pranuesve u kërkohet që brenda 24 orëve të paraqiten në selinë e policisë, në departamentin e krimit kibernetik, ose të dërgojnë një përgjigje përmes e-mailit.
Policia ka theksuar se këto mesazhe nuk janë zyrtare dhe ka apeluar që të mos ndërmerren veprime dhe të mos kthehen përgjigje.
“Duhet të dini se kjo nuk është shkresë zyrtare dhe se ky është një e-mail mashtrues, të cilën duhet ta injoroni, e assesi të merrni veprime apo të ktheni përgjigje”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se do ta trajtojë këtë dukuri dhe se, bazuar në elementet që përmban mesazhi, do të ndërmarrë hapa të mëtejmë.