Politika i ka përçarë shqiptarët, jo komandantët

17:41 | 26 April 2019

Krerët politikë “institucionalistë“, anti-luftë të LDK-së; Krerët politikë “anti-institucionalistë“, pro-luftë të LPK-së dhe Qeveria Bukoshi, e pozicionuar ndërmjet krerëve politikë të LDK-së dhe krerëve politikë të LPK-së, pra një përzierje as mish as peshk, – ishin shkaktarët kryesorë të përçarjeve të mëdha, të rrezikshme brendashqiptare, para, gjatë dhe pas luftës.

DEBATET GJYQËSORE, ku ushtarët dhe komandantët e UÇK-së po trajtohen sikur të ishin të akuzuar, ndërsa moderatorët dhe “analistët“ po e luajnë rolin e prokurorit dhe të gjyqtarit; DEBATET GJYQËSORE, ku moderatorët dhe „analistët“ po i nxisin komandantët dhe ushtarët e UÇK-së kundër njëri-tjetrit, për ta mohuar, pastaj, edhe suksesin e luftës së tyre, – janë tregues i qartë për misionin e moderatorëve dhe “analistëve“ misionarë, për komprometimin dhe diskreditimin e luftës së UÇK-së, për çlirimin nga Serbia. Këto DEBATE GJYQËSORE, pra, – janë tregues i qartë i misionit anti-UÇK, të moderatorëve dhe “analistëve“ të TV-ve tona, të korruptuara dhe të shitura.

Në gjithë këtë histori të turpshme, çudia më e madhe janë vetë komandantët dhe ushtarët e UÇK-së, që po rrëfehen para misionarëve anti-UÇK, si të zënë në turp a në faj, dhe, kështu, po rrëshqasin në lakun e këtyre t fundit, – si “cjapi te kasapi“(!).
*****
Në historinë më të re të Kosovës, gjysma e parë e viteve ’90-a të shek. XX, mund të quhet periudhë e artë e unitetit të madh brendashqiptar. Deklarata Kushtetuese e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, me të cilën Kosova u shpall “njësi e veçantë në kuadër të federatës jugosllave“ të atëhershme (2 korrik 1990); Miratimi dhe shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (7 shtator 1990) dhe Referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur (26-30 shtator 1991), – ishin boshti rreth të cilit u bashkuan të gjithë shqiptarët, në ato vite.

Gjysma e dytë e atyre viteve (pra në prag të luftës, gjatë luftës dhe pas luftës), ndërkaq, mund të quhet periudha e errët, e mbrapshtë e përçarjeve të mëdha brendashqiptare. Krerët politikë “institucionalistë“, anti-luftë të LDK-së; Krerët politikë “anti-institucionalistë“, pro-luftë të LPK-së dhe Qeveria Bukoshi, e pozicionuar ndërmjet krerëve politikë të LDK-së dhe krerëve politikë të LPK-së, pra një përzierje as mish as peshk, – ishin shkaktarët kryesorë të përçarjeve të mëdha e të rrezikshme brendashqiptare, para, gjatë dhe pas luftës.

UÇK-ja, ushtarët dhe komandantët e saj, pavarësisht nga drejtimet që vinin, arritën që, nën një presion të dyfishtë: në njërën anë, nën presionin e politikave përçarëse brendashqiptare të LDK-së, të LPK-së e të Qeverisë Bukoshi dhe, në anën tjetër, nën presionin e përballjes së përgjakshme me ushtrinë, me policinë dhe me bandat paramilitare serbe, – pra, në rrethana jashtëzakonisht të rënda, arritën që, në pika dhe në fronte të përbashkëta, t’i bashkojnë armët për çlirimin e Kosovës.

Moderatorët dhe “analistët“, në TV-të e tyre të korruptuara dhe të shitura, prandaj, do të duhej t’i ftonin krerët politikë të LDK-së, të LPK-së dhe të Qeverisë Bukoshi, në debate për përçartet e tyre në gjysmën e dytë të viteve ‘90-a, pra në debate për përçarjet e tyre në kohën e paraluftës, të luftës dhe të pasluftës, në Kosovë dhe jashtë saj. Ushtarët dhe komandantët e UÇK-së, ndërkaq, duhet të lihen të qetë në “shejtninë“ e tyre të luftës çlirimtare.

DEBATET GJYQËSORE, si këto të fundit në TV-të tona, ku ushtarët dhe komandantët e UÇK-së po trajtohen sikur të ishin të akuzuar, ndërsa moderatorët dhe “analistët“ po e luajnë rolin e prokurorit dhe të gjyqtarit; DEBATET GJYQËSORE, ku moderatorët dhe „analistët“ po i nxisin komandantët dhe ushtarët e UÇK-së kundër njëri-tjetrit, për ta mohuar, pastaj, edhe suksesin e luftës së tyre, – janë tregues i qartë për misionin e moderatorëve dhe “analistëve“ misionarë, për komprometimin dhe diskreditimin e luftës së UÇK-së, për çlirimin nga Serbia. Këto DEBATE GJYQËSORE, pra – janë tregues i qartë i misionit anti-UÇK, të moderatorëve dhe “analistëve“ të TV-ve tona, të korruptuara dhe të shitura.

Dhe, në gjithë këtë histori të turpshme, çudia më e madhe janë vetë komandantët dhe ushtarët e UÇK-së, që po rrëfehen para misionarëve anti-UÇK, si të zënë në turp a në faj, dhe, kështu, po bëhen pre në lakun e këtyre të fundit, – si „cjapi te kasapi“(!).

Komento: