Politikat sociale po bëhen çelësi i suksesit të populistëve evropianë

17:08 | 08 April 2019

Më 20 mars, Partia Popullore Evropiane, blloku konservator në Parlamentin Evropian, do të vendosë nëse do të dëbojë apo jo partinë qeverisëse në Hungari, Fidesz. PPE ka qenë e mefshët në reagimin ndaj kësaj force politike dhe kryeministrit autokrat të Hungarisë, Viktor Orban, për sulmin e tij mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Sidoqoftë, kritikët perëndimorë të Orbanit, kanë qenë po aq të mefshët për të kuptuar politikat sociale dhe ekonomike, që mbështesin popullaritetin e tij. Kujtoni pak politikat që Orban shpalli më 10 shkurt. Deri më tani, qëndrimi i Perëndimit ndaj këtyre politikave, që synojnë të trajtojnë problemin e nivelit të ulët të lindshmërisë në vend, dhe reduktimin e mëtejshëm të emigracionit, ka qenë negativ, por edhe i verbër, mbi efektivitetin e tyre në forcimin e mbështetjes për Orban në mesin e votuesve hungarezë.

Analistët perëndimorë kanë dështuar të pranojnë, se nacionalistët autoritarë si Orban fitojnë mbështetje jo vetëm duke sulmuar emigrantët, por edhe duke zbatuar politika ekonomike nga të cilat përfitojnë njerëzit e zakonshëm. Partitë kryesore politike në Perëndim, duhet ta mësojnë shpejt këtë leksion ekonomik, nëse duan të konkurrojnë me sfidantët e tyre populistë.

Orban është i prirur ta lidhë mesazhin e tij nacionalist, me politikat sociale bujare dhe popullore, që i inkurajojnë gratë dhe familjet hungareze të kenë më shumë fëmijë. Shkalla aktuale e lindshmërisë në Hungari prej 1.45 fëmijë për çdo grua, është nën nivelin e zëvendësimit të atyre që vdesin. Dhe popullsia në vend, është duke u pakësuar që nga viti 1989, duke pasqyruar një rënie që po ndodh në të gjitha vendet e tjera ish-komuniste, dhe që ka nxitur një mbështetje të gjerë sociale për familjet.

Plani parashikin përjashtimin e përjetshëm nga tatimi mbi të ardhurat personale, për gratë që lindin dhe rrisin 4 ose më shumë fëmijë (Orban dhe gruaja e tij kanë 5 fëmijë). Kjo dhe politikat e tjera në paketën e re, do të kenë një ndikim real në të gjitha familjet në Hungari.

Gratë nën moshën 40 vjeç, që martohen për herë të pare, dhe që kanë punuar për të paktën 3 vjet, do të kualifikohen për një hua “lindjeje” prej 36.000 dollarësh me një normë të ulët, e cila do të falet pasi të bëhen me fëmijë.

Familjet më të mëdha, mund të aplikojnë për një grant qeveritar prej 9.000 dollarësh, për blerjen e një makine 7-vendëshe. Gjyshërit që kujdesen për fëmijët, do të paguhen. Dhe qeveria do të krijojë 21.000 vende të reja të ndihmës së subvencionuar.

Media kryesore perëndimore, analistët dhe politikanët, kanë qenë gati në bllok kritikë ndaj këtij plani, duke rënë kështu në kurthin e Orbanit. “The Economist” , një avokate e vjetër e politikave ekonomike të tregut të lire, që e kanë varfëruar shumë Evropën Lindore, duke prodhuar shumë pasuri dhe standarde më të larta jetese, për një pakicë të klasës së mesme, e ka cilësuar tepër të kushtueshëm planin e Orbanit.

Por, kritikët e kryeministri hungarez, injorojnë shembujt e Polonisë dhe Rusisë, të cilat gjithashtu kanë zbatuar politikat nataliste në vitet e fundit. Shkalla e lindshmërisë në Rusi, është aktualisht 1.75 fëmijë për çdo grua, nga 1.17 që ishte në vitin 1999, pjesërisht për shkak të një programi grantesh për prindërit e rinj.

Edhe Polonia ka arritur nivele më të larta të lindjeve që nga viti 2015, pas prezantimit të iniciativës së madhe “Family 500+”, që u garanton prindërve koston e mjeteve shkollore, rrobave dhe pushimeve për fëmijët . Të dyja skemat u kritikuan si shumë të shtrenjta, por defiçiti publik i Polonisë ra dhe nuk u rrit.

Përkundrazi, këto politika kanë nxitur rritjen ekonomike, ndërsa kanë reduktuar ndjeshëm varfërinë e fëmijëve, dhe shtuar regjistrimin në shkolla. Megjithëse sulmet e tregut të lirë ndaj programeve të reja e të guximshme sociale nuk janë befasi, disa nga kritikat më të mprehta të politikave të Orbanit kanë ardhur nga e majta.

Progresistët nuk e pëlqejnë shumë faktin, që shumë nga propozimet e tij synojnë grate, në një mënyrë që duket se çon përpara një axhendë konservatore, pro-familjare. Profesoresha e Universitetit të Prinstonit në SHBA Kim Shepele, e intervistuar nga Radio Publike Ndërkombëtare, paralajmëroi se “gratë do të mbajnë mbi shpinë barrën e politikave ekonomike të dështuara të Orbanit”.

Dhe ministrja suedeze e çështjeve sociale Anika Strandhall, tha se “kjo lloj politike, do të dëmtojë autonominë për të cilën kanë luftuar gratë ndër dekada”. Këta analistë kanë të drejtë kur thonë, që politikat e Orbanit synojnë të inkurajojnë gratë të martohen, të blejnë shtëpi, të rrisin sa më shumë fëmijë dhe të qëndrojnë në Hungari.

Por kritikat e tyre, nuk kapin thelbin. Në përgjithësi, këto propozime nuk janë shtrënguese. Ato nuk synojnë t’i mbajnë gratë të lidhura në shtëpi. Përkundrazi, plani i Orbanit është i dizenjuar t’i ndihmojë gratë të menaxhojnë balancën e tyre në punë dhe jetën e përditshme. Për këtë, ai duhet mbështetur dhe jo refuzuar.

Merrni përjashtimin nga takimi mbi të ardhurat për gratë me 4 ose më shumë fëmijë. Përfitueset kryesorë të këtij program, do të jenë gratë që punojnë, pasi ato që nuk kanë të ardhura s’do të kenë në thelb asnjë avantazh. Po kështu, duke iu dhënë para gjyshërve që mbajnë fëmijët, kjo i ndihmon gratë të hyjnë në forcën e punës.

Na pëlqen ose jo, disa nga nismat më të guximshme të politikës sociale në Evropë, vijnë nga qeveritë e saj më liberale. Reagimet negative të udhëheqësve kryesorë të opinionit publik në Perëndim, tregojnë se sa të papërgatitur janë ata për t’u përballur me Orbanin, dhe të tjerët në betejën për zemrat dhe mendjet e votuesve.

E djathta populiste është duke e vënë retorikën dhe politikat e demokracisë sociale, në shërbim të nacionalizmit autoritar. Nëse Perëndimi nuk mundet ta shohë apo ta kuptojë joshjen e kësaj oferte, ajo nuk do të jetë në gjendje të luftojë kundër populistëve.

Shënim: Mitchell A. Orenstein, është profesor i Studimeve Ruse dhe të Evropës Lindore në Universitetin e Pensilvanisë në SHBA, dhe anëtar i Institutit të Kërkimeve të Politikave të Jashtme.

“Project Syndicate” – Bota.al

Komento: