
Vetëm 13 shtretër janë të lirë nga 65 sa është totali i shtretërve në dispozicion për pacientë në Klinikën e Psikiatrisë.
Mbi 5 mijë e 400 persona vetëm gjatë këtyre muajve të parë të 2024-es kanë kërkuar shërbime psikiatrike, e që nuk janë shtrirë në këtë klinikë.
Gjithsej, 210 persona kanë qenë të hospitalizuar gjatë këtyre muajve në Psikiatri.
Kështu ka bërë të ditur për Front Online drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci.
“Momentalisht në klinikë janë të hospitalizuar 52 pacientë nga 65 shtretër sa është numri aty. Sa i përket vitit 2024 nga të gjitha shërbimet del se janë 210 persona që kanë marr shërbime spitalore, do me thënë janë hospitalizuar, janë shtrirë në klinikë dhe prej saj 3751 prej trajtimit duke marr në konsideratë numrin e gjithmbarshëm e ditëve të trajtimit nga këta 210 persona të cilët janë trajtuar në klinikë e që llogaritet varësisht nga kohëzgjatja, qëllimit për të cilin janë trajtuar. Ndërsa persona që kanë kërkuar shërbime psikiatrike, por që nuk janë shtrirë në klinikë në vitin 2024 kanë qenë 5465 persona”, njoftoi Kutllovci.
Ngritje kanë shënuar shërbimet ambulatore në Psikiatri, ndërsa rastet hospitalore janë të njëjta me vitin paraprak, thotë Kutllovci.
“Në vitin 2024 shërbimet ambulatore kanë shënuar rritje për 30-40% më i madh i shërbimeve ambulatore se sa atyre hospitalore, numri i rasteve hospitalore është pothuajse i njëjtë me atë të vitit 2023”, tha Kutllovci për Front Online.
Drejtori i Psikiatrisë: Numri i abuzuesve me substanca psiko-aktive po rritet, dominon mosha 12-13 vjeç
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në një intervistë për Front Online ka bërë të ditur se moshat që kërkojnë më shumë trajtime në këtë klinikë janë 20-40 vjeç , zakonisht me ankth dhe depresion.
Ndërsa, dominon mosha 12-13 vjeç që abuzojnë me substanca psiko-aktive dhe droga të ndryshme, tregon Kutllovci.
Kutllovci tregon se është në rritje numri i personave që përdorin droga të ndryshme e që kërkojnë të trajtohen.
“Personat që më së shumti kërkojnë trajtim janë moshat 40-45 vjet, kjo determinohet edhe nga lloji i shërbimeve ose çrregullimeve psikike me të cilat ballafaqohen. Në çrregullimet neurotike ku bën pjesë, ankthi, depresioni, çrregullimi i personalitetit janë kryesisht mosha të reja 20-40 vjeç, ndërsa ajo që bie në sy është numri i atyre që abuzojnë me substanca psiko-aktive e që është në rritje numri i tyre që abuzojnë me këto substanca por është duke rënë mosha, ndërsa dominon mosha 12-13 vjet kur të rinjtë fillojnë te abuzojnë me substanca psiko-aktive, apo me droga të ndryshme”, tregoi Kutllovci.
Në Klinikën e Psikiatrisë numri më i madh i pacientëve kanë probleme me ankth e depresion
Probleme me ankth dhe depresion, janë rastet më të shpeshta të pacientëve që po kërkojnë trajtim në Klinikën e Psikiatrisë.
Kështu po thotë për Front Online, drejtori i kësaj klinike, Faton Kutllovci.
Ai deklaron se numri i shërbimeve ambulatore ka shënuar ngritje.
Kutllovci tregon se cila ka qenë arsyeja që më herët qytetarët s’kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Dominon skizofrenia dhe problemet me të, numri më i madh i persona që kërkojnë ndihmë në klinikë janë për problemet me ankthin, depresionin dhe çrregullime të ngjashme me to. Më parë ka qenë stigmamtizimi që ka ndaluar qytetarët të kërkojnë ndihmë ndërsa kjo tashmë ka rënë dhe qytetarët po marrin trajtim psikiatrik dhe për këtë është rritur numri i shërbimeve ambullantore”, theksoi Kutllovci.
Klinika e Psikiatrisë po përballet me kushte të rënda infrastrukturore
Klinika e Psikiatrisë është duke u përballuar me kushte të rënda infrastrukturore aktualisht.
Këtë vit kanë filluar disa investime në këtë klinikë.
Drejtori Faton Kutllovci tregoi për Front Online se gjysma e investimeve është paraparë të kryhet këtë vit.
Ndërsa, në vitin 2025 do të dyfishohen investimet.
“Fakti që kemi numër të ngjashëm me vitin e kaluar dhe nuk kemi rritje, aktualisht kemi kushte të rënda infrastrukturore të cilat aktualisht i kemi në Klinikën e Psikiatrisë. Klinika është mjaftë e vjetër dhe e amortizuar dhe nuk janë kryer investime deri vonë, tani ka filluar menaxhmenti aktual i SHSKUK-së. QKUK-së në bashkëpunim me MSH që të bëjnë investime në Klinikën e Psikiatrisë. Këtë vit kemi paraparë gjysmën e investimeve në klinikë pastaj sipas marrëveshjes, dhe dakordimeve që i kemi do të dyfishohet vitin e ardhshëm”, u shpreh Kutllovci.
Drejtori i Psikiatrisë: Për herë të parë në Kosovë do të hapet repart për hospitalizimin e fëmijëve dhe adoleshentëve me probleme
Në Kosovë deri tani ka munguar një repart në Psikiatri për hospitalizimin e fëmijëve dhe adoleshentëve që përballën me probleme shëndetësore.
Nga muaji maj ky problem nuk do të jetë.
Drejtori i Psikiatrisë ka njoftuar se për herë të parë në Kosovë do të hapët një repart për këtë kategori.
Faton Kutllovci tregoi për Front Online se sa shtretër do të jenë për fillim.
“Kemi fituar një projekt nga Ambasada e SHBA-së për renovimin e intensives dhe emergjencës psikiatrike e që do të ndodh në fillim të vitit tjetër. Në fillim të muajit maj do të hapim klinikën për fëmijët dhe adoleshentët me shtretër sepse deri më tani reparti për fëmijë dhe adoleshentë në klinikë, ka shërbyer vetëm për të ofruar shërbime ambulatore dhe nga fillimi i muajit maj do të ketë edhe dhoma me shtretër, sado që numri prej 7 shtretërve është modest, por për herë të parë Kosova do të ketë një repart ku mund të shtrihen fëmijët dhe adoleshentët që kanë nevojë të marrin shërbime”, u shpreh Kutllovci.
Kutllovci: Në Psikiatri kemi mungesë të personelit, posaçërisht të infermierëve
Përveç kushteve infrastrukturore, Klinika e Psikiatrisë po përballet edhe me një sfidë tjetër, mungesën e infermierëve.
Faton Kutllovci, drejtor në këtë klinikë thotë për Front Online se Psikiatria po përballet me mungesë të personelit.
Me hapjen e repartit të ri, nevojitën numër i madh i personelit.
“Me barna furnizohemi në rregull. Kohë pas kohe ndodhë që disa prej ilaçeve të mungojnë përkohësisht për shkak të procedurave tenderuese. Kemi mungesë të personelit, posaçërisht mungesë të infermierëve. E tash me hapjen e repartit na duhet numër më i madh i personelit”, deklaron Kutllovci për Front Online.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon shëndetin mendor si gjendje të mirëqenies mendore, që u mundëson njerëzve të përballen me streset e jetës, t’i realizojnë aftësitë e tyre, të mësojnë e të punojnë mirë, si dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre.
Shumë probleme të shëndetit mendor mund të trajtohen në mënyrë efektive, sipas OBSH-së, megjithëse sistemet shëndetësore mbeten në mënyrë të konsiderueshme të pamjaftueshme dhe boshllëqet në trajtim janë të mëdha në të gjithë botën.