Presidenca i kundërpërgjigjet Vuçiqit që tha se s’mund të ketë normalizim me pushtetin aktual në Kosovë

21:56 | 03 Prill 2023

Vuçiq tha se s’mund të ketë normalizim me pushtetin aktual në Kosovë, kundërpërgjigjet Presidenca.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se normalizimi i raporteve me Kosovën nuk është i mundur me qeverisjen ekzistuese Kurti-Osmani.

Ai pretendoi se qeveria e Kosovës “shpik konflikte të reja dhe provokon serbët çdo ditë”, shkruan Reporteri.

“Problemi thelbësor nuk është as çfarë do të thotë dikush dhe as çfarë do të zbatojë dikush. Është shumë më e rëndësishme nëse mund të normalizojmë marrëdhëniet me shqiptarët e Kosovës. Kam frikë se kjo nuk është realiste me këtë lloj qeverisjeje në Prishtinë”, tha Vuçiq në margjinat e Panairit Ndërkombëtar të Verës “Vinitali”.

Ndaj këtyre deklaratave të presidentit serb, ka reaguar Blerim Vela, këshilltari i Presidentes Vjosa Osmani.

Në një kundërpërgjigje drejtuar Vuçiqit, Vela tha se Beogradi nuk vendos më se kush drejton institucionet e Kosovës.

“Vuçiq aludon se me një lidership tjetër në institucionet e Kosovës, ai do të mund ta arrinte normalizimin. Megjithatë, koha kur Beogradi vendoste se kush drejtonte institucionet e Kosovës ka kaluar”, ka shkruar Vela.

“Përpjekja e Vuçiqit dhe Radoiçiqit për të destabilizuar institucionet e Kosovës do të pengohet dhe ndalet”, ka shtuar ai.

Komento: