Presidenti flet nga Brukseli për letrën e Trumpit e marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

16:57 | 19 Dhjetor 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në Bruksel.

Thaçi ka thënë se është diskutuar për të arriturat e rajonit, për nevojat që ka rajoni dhe për vizionin për të ardhmen.

Ai ka thënë se ka shprehur dëshpërimin e madh të qytetarëve të Kosovës për shtyrjen e liberalizimit të vizave.

“Theksova dëshpërimin e madh që është në Kosovë për shtyrjen e liberalizimit të vizave. Kosova s’ka alternativë tjetër, pos lëvizjes drejt NATO-s e BE-së. Ky vakuum mund të shfrytëzohet nga të tjerët që s’i duan vlerat evropiane. Do të punojmë të gjithë bashkë që të sqarojmë më tepër këtë proces. Kosova ka kryer obligimet e veta. Duhet të merret vendimi në muajt e ardhshëm. Në të ardhmen e afërt besoj se do të ndodhë, ndërsa sa i përket çështjeve tjera, në veçanti me marrëdhëniet me fqinjët, Kosova ka raporte të shkëlqyera me Maqedoninë, Shqipërinë e Malin e Zi”, ka thënë Thaçi.

Ai ka deklaruar po ashtu se në takim është përshëndetur votimi nga Parlamenti i Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Thaçi ka thënë se kjo temë pati mbështetjen e të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor.

“Ndërsa sa i përket çështjes së mundësisë për arritjen e një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me njohje reciproke mes dy vendeve është inkurajues fakti që të gjithë liderët mbështesin përpjekjet e Kosovës dhe të Serbisë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare që do të siguronte paqe në rajon e do të përshpejtonte hapat evropianë për Kosovën e Serbinë. Shpresoj dhe besoj se marrëveshja mund të arrihet në një të ardhme të afërt. Mobilizimi i ndërkombëtarëve është mesazh që duhet të punojmë më bashkërisht”, ka shtuar ai.

Thaçi nuk ka lënë pa përmendur edhe një herë letrën e presidentit amerikan, Donald Trump. Ka thënë se kjo dëshmon qëndrimin e Amerikës për Kosovën dhe mbështetjen e plotë për dialogun.

“Letra e Presidentit Trump është shpresë dhe besim për institucionet e vendit. Letra e Trumpit është zëri i Amerikës, mbështetja e plotë e Amerikës për Kosovën dhe rajonin. Nëse dikush ka pas diskutime për rolin dhe qëndrimin e SHBA-së kjo dëshmon se SHBA-ja është mbështetëse dhe e involvuar plotësisht. Janë liderë të vegjël në Kosovë që t’i dalin përballë letrës së Trumpit. Liderëve u mbetet të veprojnë për një marrëveshje të zbatueshme. Letra e Trumpit është qëndrim i SHBA-së. Kemi diskutuar për të gjitha çështjet. Problematikat aktuale mes vendeve tona do të mundohemi që t’i tejkalojmë e të hapen mundësitë për angazhime të ardhshme natyrisht duke mos e kushtëzuar njëri-tjetrin”, ka thënë më tej Thaçi.

Komento: