Presidentja Osmani në Vjenë: Evropa të hapë dyert dhe zemrën për evropianët më të rinj

10:50 | 18 Nëntor 2022

Osmani në Vjenë: Evropa të hapë dyert dhe zemrën për evropianët më të rinj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur fjalimin e saj në 100-vjetorin e themelimit të lëvizjes Paneuropa në Vjenë.

Ajo gjatë fjalimin u shpreh se Kosova është Evropë dhe se të jesh kosovar, do të thotë të jesh evropian.

“Kosova është Evropë dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian. Ne e kemi ndjerë miqësinë dhe mbështetjen nga Paneuropa në kohët tona më të vështira, në vitet e 90-ta, kur Otto von Habsburg, një mik i madh i presidentit Rugova dhe një mik i madh i popullit tonë, u bë një nga zërat më të fortë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë”, u shpreh ajo.

Osmani gjithashtu gjatë këtij fjalimi kërkoi sërish liberalizimin e vizave për kosovarët, përcjell Klankosova.

Presidentja tha se është koha e fundit që Evropa të hapë dyert dhe zemrën siç u shpreh ajo, për evropianët më të rinj.

“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të ripërsëritur një mesazh për të gjitha shtetet anëtare evropiane. Është koha e fundit që Evropa t’i hapë dyert dhe zemrën evropianëve më të rinj për kosovarët, duke i thënë “PO” liberalizimit të vizave në këtë kohë vendimtare do të thotë të hedhim hapin përpara dhe t’i bashkohemi Evropës”, u shpreh ajo.

Komento: