Prishtina dëshpëron, barazon me Arbërinë

18:38 | 22 Shtator 2020

Arbëria befason edhe Prishtinën – ia merr një pikë të artë.

Arbëria dhe Prishtina i kanë ndarë pikë në kuadër të javës së dytë në Superligën e Kosovës, pasi ndeshja përfundoi 1-1.

Pas vetëm dhjetë minutash lojë, Arbëria kaloi në epërsi me anë të Dior Zabërgjës që shënoi nga një goditje e fuqishme jashtë zonës.

Por, vendasit nuk e festuan edhe shumë golin, shkaku që në minutën e 35-të, Otto John i barazoi shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë, Prishtina ishte edhe më kërkuese, duke rrezikuar me anë të Endrit Krasnqit dhe John, mirëpo portieri Donat Kaçiu ndaloi goditjet e tyre.

Kryeqytetasit kishin një mundësi të artë që të përmbysnin rezultatin, mirëpo Bruno Arrabal e largoi topin nga vija e portës së Arbërisë në minutën e 70-të.

Prishtina tentoi deri në fund që të merrte tri pikë, mirëpo meritat për një pikë për debutuesit në ligë i takuan Kaçiut që ishte vendimtar me pritjet e tij.

Prishtina është aktualisht lider i Superligës me katër pikë, aq sa ka edhe Arbëria në vendin e dytë, pas javës së dytë.

Komento: