
Është duke vazhduar aksioni “Brezovica 3”.
“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Krime të Rënda në Prishtinë, është duke vazhduar aksioni “Brezovica ” përkatësisht, urdhër kontrolli në objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë, për shkak të dyshimit të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit.
Lidhur me këtë aksion i cili është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme, Prokuroria Themelore në Ferizaj do t’iu mbaj të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera”, thuhet në noftimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Ndryshe, ky është aksioni i tretë që po realizohet për këtë rast. Aksioni i parë ishte zhvilluar në fund të vitit të kaluar dhe kishte përfunduar me arrestimin e dhjetë personave. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq.
Ai dyshohej se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Aksion tjetër për këtë rast është zhvilluar edhe më 3 mars të këtij viti, ku janë arrestuar tetë persona.
Ata dyshohen për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.