Prokuroria Speciale shënjestron rastin “Reflektori”, 11 persona të përfshirë për narkotikë

12:43 | 15 Nëntor 2022

Prokuroria Speciale ka shënjestruar një rast të koduar me emrin “Reflektori”, ku të përfshirë janë 11 persona për “Blerje, posedim, shpëlarje dhe shitje e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Kështu është bërë e ditur nga vetë Prokuroria me anë të një komunikate për media, pa dhënë detaje shtesë lidhur me rastin.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e Krimeve të Rënda, ku kanë shënjestruar një (1) rast të ri me njëmbëdhjetë (11) persona”, thuhet në komunikatë.

“Prokuroria Speciale njofton se rasti i shënjestruar është i koduar me emrin “Reflektori”, ku janë të përfshirë njëmbëdhjetë (11) persona, për veprën penale ‘’Blerja, posedimi, shpëlarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’ nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPRK-së, si dhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, përfundon komunikata.

Komento: