Prokuroria Themelore në Prishtinë me kryeprokuror të ri, prokurori Zejnullah Gashi zgjedhet kryeprokuror

10:14 | 11 Dhjetor 2023
prokuroria-themelore-ne-prishtine-me-kryeprokuror-te-ri,-prokurori-zejnullah-gashi-zgjedhet-kryeprokuror

Prishtinë- Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e 238-të, të mbajtur të hënën ka zgjedhur prokurorin Zejnullah Gashi kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Këshilli me 7 vota për dhe 1 kundër dhe 2 abstenime ka zgjedhur Zejnullah Gashin kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Zgjedhja e tij në këtë pozitë erdhi pasi anëtarët e Këshillit ia dhanë votat e nevojshme për ta ushtruar këtë pozitë.

Ndryshe, prokurori Gashi ka qenë kandidati i vetëm për pozitën e të parit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kjo për faktin se kundërkandidatja tjetër, prokurorja Fitore Sadiku nuk i kishte plotësuar kriteret për të kandiduar për pozitën e kryeprokurores dhe kundërshtimi i saj ishte refuzuar nga KPK.

Deri më tani kjo pozitë ishte ushtruar nga kryeprokurori Kujtim Munishi.

Kujtojmë se më 17 nëntor, KPK në mbledhjen e jashtëzakonshme kishte konfirmuar listën e kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Më 13 tetor të këtij viti Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte miratuar hapjen e konkursit për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në këtë link gjeni biografinë e prokurorit Zejnullah Gashi të publikuar në ueb faqrn zyrtare të KPK-së./BetimipërDrejtësi

Komento: