Protesta e 29-të në Tiranë, qytetarët: Dorëheqja e Ramës, e panegociueshme

21:20 | 28 Qershor 2026
protesta-e-29-te-ne-tirane,-qytetaret:-doreheqja-e-rames,-e-panegociueshme

Po zhvillohet në Tiranë protesta e 29-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Qytetarët u mblodhën fillimisht në  sheshin ‘Skëndërbej’, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, teksa nuk mungon thirrja simbolizuese e këtyre tubimeve. “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Thirrja ndaj Ramës për zbatimin e 5 kërkesa të protestuesve u përsërit edhe në këtë tubim.

Kësaj radhe, kërkesat u lexuan nga Andi Tepelena, i njohur si një prej organizatorëve të 29 protestave të zhvilluara deri më sot në kryeqytet.

“Kërkesa 1 e panegociueshme është dorëheqja e Ali Babës me 40 hajdutë. Ky njeri, me librin Albanian Files, tregon arrogancën e tij se si i trajton shqiptarët, si çifligun e tij ky antishqiptar. Ky njeri, i cili nuk është në aleancë me shqiptarët, por me oligarkët, krimin e organizuar dhe antishqiptarët, bën ligje antishqiptare. Kërkon t’ua shesë pronën shtetërore të huajve. Është një projektligj që po qarkullon këto ditë, me urgjencë, të paratë, do t’ua hapë të huajve, ndërsa shqiptarët vuajnë akoma ligjin 7501. Të bërë nga ai dhe Sali Berisha, që i kanë lënë shqiptarët pa pronë”,- tha Tepelena.

Të gjithë kërkesat e artikuluara nga Grupi Koordinues janë:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:

* ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.

Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:

* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.

* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.

* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.

* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.

* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës. Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre.

Komento: