Mbrëmë në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, isha e ftuar për ta diskutuar rastin e vajzes nga Librazhdi, e cila u dhunua, u kërcënua dhe u xhirua në një moment privat. Dhe, ky xhirim u përhap gjithandej, duke ia cenuar liritë dhe të drejtat elementare të saj, duke nxitur kështu një debat të ashpër publik.
Diskutimin tim, e bazova në disa pika, të cilat mendoj se e sqarojnë mësë miri, rastin e dhunës dhe gjyqit publik, që iu bë kësaj vajze.
E para dhe më e rëndësishmja, që patjetër duhet të thuhet në këtë debat, është se vajza nga Librazhdi ishte peng në atë familje, dhe jo e martuar. Ajo duke qenë minorene, është marrë nga shtëpia e saj, dhe është dërgu në shtëpinë e pengmarrësve (lexo:vjehrrisë) se saj, për të bashkëjetu dhe shërbyer atyre. Vajza për tre vjet kinse martesë, vetëm njëherë e ka takuar burrin e saj. Çfarë lloj martese është kjo? Çka është martesa- bashkëjetesa me burrin apo bashkëjetesa me prindërit e tij?!
Prandaj, jetesa me ata, e bën të marrur peng dhe jo në marrëdhënie bashkëshortësie. Dhe, veprimi i saj nuk mund të cilësohet me asnjë kriter akt tradhëtie bashkëshortore, por akt çlirimi. Dhe, “vjehërrit” e saj, duke mos qenë të vetëdijshëm për padrejtësitë që ia kanë bërë asaj për tre vjet, ata i bëjnë edhe një padrejtësi të madhe vajzës, përmes xhirimit duke u munduar ta poshtërojnë dhe linçojnë publikisht. Vepër që është e ndaluar me çdo konventë. Por, me këtë video ata nuk e poshtëruan vajzën, por në fakt, zbuluan ferrin në të cilin ka jetuar vajza tash e sa vite, edhe me fajin e tyre.
E dyta: Ky rast, e nxjerr në sipërfaqe edhe njëherë standardin e dyfishtë të mendësisë sonë mbi moralin. Sepse me tjera standarde gjykohen burrat, dhe me standarde krejtësisht tjera gjykohen gratë. Për atë çka burrat i lavdërojnë e lartësojnë, gratë i gurëzojnë. Tash meqë gurëzim fizik nuk behët, atëherë u kthye në një gurëzim virtual publik. Shembulli, që e spjegon mësë miri këtë, është se asnjërit nga mësuesit pedofilë që u zbuluan së fundi nga emisioni “Piranjat”, nuk iu bë fare gjyq dhe linçim publik, siç iu bë kësaj “nusës” pa burrë nga Librazhdi. Po e përseris, se ky gjyq moral erdhi dhe u sforcua nga moralistët të cilët moralizuan jo se e kanë qëllim drejtësinë, por për ta ngritur vetën në pozita superiore, në kurriz të një viktime.
E treta: Maja e ajsbergut, ishte kërkesa për leçitje dhe largim nga shteti. Pse të largohet dhe pse të ndihet e turpëruar, kur nuk e ka as edhe një arsye për të qenë kokëulur?! Dhe duke e ditur se ka edhe plot raste tjera të tilla abuzive të grave dhe veçmas vajzave minorene, e ftova dhe përseri e ftoj që ajo të bëhet zëri i tyre, siç u bë Malala për vajzat afgane që donin të shkolloheshin. Nuk ka nevojë të largohet, por veç le ti marrë frenat e jetës së vet në dorë, dhe t’i bashkohet lëvizjes për barazi gjinore.
Dhe e katërta: Këtë e thash me zemër thyer, për gratë të cilat në vend të solidarizohen me viktimen, e sulmojnë atë. Ndonëse e ndjek parimin e Elena Ferrantes që nuk flas keq për një grua, edhe në qoftëse më ka sulmuar në mënyrën më të ashpër, nuk pata çare pa e shpreh kritikën gjatë emisionit për to, të cilat e hodhën gurin të parat kundër asaj vajze.
Dhe, për fund, le të shërbejë ky rast “linçimi publik” për shtimin e aktivizmit kundër keqtrajtimit të grave dhe sidomos vajzave të pambrojtura dhe martesave të hershme, martesave të detyruara, në emër të zakonit e të dreqit e të birit. Dhe, gjithashtu le të shërbejë kundër linçimit publik.