Pse nuk mund të ketë Plan Marshall për Kosovën?!

17:33 | 27 Shkurt 2020

Gjatë vizitës së sekretarit James Baker në qershor 1991 në Shqipëri, zyrtarë shqiptarë, media dhe njerëz që morën pjesë në mitingun e madh të organizuar për pritjen e tij, kërkonin një Plan Marshall për Shqipërinë. Një kërkesë e tillë duhet ti jetë dukur e çuditshme sekretarit Baker dhe zyrtarëve amerikanë të cilët e dinin se Plani Marshall ishte një plan ndihme ekonomike (dhe politike) për Evropën e shkatërruar të pas-Luftës së Dytë Botërore. Plani i ndihmës (i cili pasonte një tjetër plan financimi të mëparshëm, zgjati vetëm katër vjet dhe efektiviteti i tij është objekt debati), ishte pjesë e fillimit të Luftës se Ftohtë me BRSS-në dhe implementimit të Doktrinës Truman për ndalimin e përhapjes së komunizmit.

E gjitha kjo vinte edhe pas konferencës Bretton Woods të vitit 1944 në të cilën u vendos krijimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (që u bë më pas Banka Botërore) dhe GATT (sot Organizata Botërore e Tregtisë). Këto aksione shënonin themelimin e periudhës së atij që u quajt sistemi i Bretton Woods-it i cili kombinonte një sistem monetar ndërkombëtar bazuar në vlerën e floririt, me fleksibilitetin për ndërhyrje të shtetit në politikat fiskale, tregti të lirë mes shteteve, një shtet ndërhyrës të fortë në ekonomi dhe sigurues i ndihmës sociale (shteti i asistencës) dhe lëshime të rëndësishme për organizimin e punëtoreve në unione.

Periudha kur Baker e vizitonte Shqipërinë më 1991, shënonte kulmin e sulmit ndaj institucioneve të Bretton Woods-it. Presidenti Nixon kishte lajmëruar daljen nga sistemi i floririt më 1971, ndërsa Reagan dhe Thatcher kishin nisur revolucionin e tyre të politikave të tregut të “lirë” dhe liberalizmit, luftën ndaj unioneve, ndaj shtetit të asistencës, privatizimet masive dhe derregullimin e tregut monetar. FMN dhe Banka Botërore ishin shndërruar në institucione përkrahëse të kësaj fryme në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ndërsa jepnin borxhe që kërkonin implementimin e këtyre rregullave nga shtetet borxhmarrëse.

Më 1991, administrata e presidentit Clinton, pjesë e së cilës ishte dhe Baker, do të thellonte më tej këto reforma duke promovuar neoliberalizmin, globalizimin dhe lirinë e tregut edhe më shumë (si p.sh. heqja e legjislacionit Glass-Steagall për rregullimin e sektorit banker). Ndërkohë, motivi kryesor i Planit Marshall, shteti komunist i Bashkimit Sovjetik, sapo kishte pushuar së ekzistuari. Një Plan Marshall ishte pra, si simbolikisht ashtu edhe praktikisht, një ide mbi katër dekada me vonesë kur shqiptarët ia kërkonin atë sekretarit Baker. Në fakt Shtetet e Bashkuara, në kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë, luftës së Bosnjës dhe rrezikut që gjithë Ballkani të dilte jashtë kontrollit (nëse lufta përfshinte Maqedoninë dhe Shqipërinë, ky rrezik ishte krejt real) i dhanë Shqipërisë qindra milionë dollarë ndihma gjatë viteve 1991-1995 (sipas disa burimeve rreth 250 milionë dollarë). Por, ato nuk ishin kurrë një Plan Marshall.

E bëra këtë hyrje të gjatë për të dhënë një kontekst se çfarë ishte Plani Marshall dhe për t’i bërë një hapje idesë së një plani Marshall për Ballkanin të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e propozoi në Konferencën e Sigurisë në Munih, të mbajtur në 14 shkurt. Nëse më 1991 një kërkesë e tillë ishte shumë e vonuar, implementimi i një ideje të tillë sot është jashtë çdo kohe. Në fakt, për të gjetur një paralele historike, në vend që të shohë drejt periudhës së fillimit të ndërtimit të Evropës së Bashkuar në vitet e pas-Luftës së Dytë Botërore, Kurti duhet t’i drejtojë sytë drejt një tjetër periudhe akoma më të mëhershme, atë të viteve 1870-1914. Ajo ishte periudha kur shtetet si Gjermania, Italia dhe Japonia u unifikuan dhe u industrializuan. Kjo solli fundin e sistemit të Koncernit të Evropës, rritjen e influencës globale të këtyre fuqive, fillimin e konflikteve të reja për dominim ushtarak, territorial dhe tregtar, Luftën e Parë botërore, shkatërrimin e standardit të floririt, fundin e dominimit britanik dhe krijimin e realiteteve të reja në politikën ekonomike ndërkombëtare. Në këtë realitet, shumë të ndryshëm nga ai i vitit 1945 kur Evropa rindërtohej dhe shumë të ngjashëm me vitet 1880-1914 kur ajo përçahej, kërkesa për një Plan Marshall është jo vetëm e pavend por, unë do të thosha, edhe pa kuptim.

Ngritja e Rusisë dhe Kinës në veçanti, por dhe e Indisë, prishja e marrëveshjeve dhe aleancave të vjetra dhe ngritja e aleancave të reja, gara për dominim politik-ekonomik dhe ushtarak teksa fuqitë në rritje kërkojnë rishikimin e rendit të deritanishëm liberal ndërkombëtar të drejtuar nga SHBA-ja, janë realiteti i sotëm. Perëndimi i pas-Luftës së Dytë Botërore kërkonte emigrantë, Evropa e sotme mundohet t’i mbajë larg me çdo kusht ata. Perëndimi i atyre viteve ishte i prirë për hapje dhe bashkëpunim, ndërsa shënonte rritje ekonomike, shtim të të drejtave të njeriut, bashkim, heqje kufijsh e lëvizje të lirë.

Sot Perëndimi është i ndarë, ndërsa interesi i përbashkët ia ka lënë vendin interesave lokalë. Politika e jashtme e Perëndimit ishte e qartë atëherë, sepse armiqtë ideorë, politikë dhe ekonomikë ishin po ashtu të qartë: autokracia dhe tirania nuk ishin të pranueshme. Sot, rryma të forta politike në Perëndim, të cilat propagandojnë një version nacionalist ekstrem dhe racist, kanë tendenca të forta autokratike. Evropa e sotme është në stagnim politik, ekonomik dhe kulturor. Brexit-i, situata nacionaliste në Spanjë, kundërshtimi nga vendet lindore të BE-së ndaj politikave të qendrës, përplasjet mes Gjermanisë dhe Francës dhe kundërshtimi i kësaj të fundit për politikat e zgjerimit, janë të gjitha shprehje të gjendjes së saj. Ky është një moment historik që duhet kuptuar mirë.

Analiza kërkon ndërthurjen e perspektivës lokale vendore me atë rajonale, evropiane dhe globale, për të marrë parasysh dhe kuptuar jo vetëm interesat e vendit po dhe ato të vendeve të cilave u kërkohet ndihma dhe partneriteti. Në rastin konkret, Kosova, si një vend i vogël dhe i varfër, por me një potencial relativ zhvillimi, ka interes forcimin e brendshëm institucional dhe ekonomik, hapjen dhe zhvillimin e tregtisë me jashtë dhe integrimin (pjesor ose tërësor) në BE. Por, sa nga këto interesa përkojnë me interesat e BE-së dhe SHBA-ve? Cilat kushte specifike ekzistojnë atje që do ta shtynin Perëndimin t’i japë Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor diçka të ngjashme me një Plan Marshall?

Unë mendoj se përveç një koncepti të vagët për të kundërshtuar atë që shihet si “kërcënimi rus” në Ballkan, të tilla kushte nuk ekzistojnë. Ndryshe nga periudha e pas-Luftës së Dytë Botërore, Evropa e sotme ka lëvizur vendosmërisht drejt proteksionizmit nga e djathta (në vend të atij të majtë socialist e socialdemokrat që Albini dhe VV përfaqësojnë), që do të thotë anti-emigracion, anti-zgjerim dhe proteksionizëm i interesave të ngushta ekonomike dhe sidomos industriale të tregut të brendshëm dhe, ku është e mundur, projektim dhe zgjerim i këtyre interesave të ngushta jashtë. Askund liberalizmi dhe globalizmi nuk shihen më si një dallgë që ngre gjithë varkat.

Ky normalitet i ri që po krijohet teksa flasim, ka vetëm një burim? mosfunksionimin më të tregut global si institucioni kyç i rendit kapitalist, atë që Karl Polanyi e quan burimi dhe matrica (fount and matrix) i këtij rendi. Brenda vet BE-së mosfunksionimi i tij është i qartë nga Brexit-i, nga krizat ekonomike dhe sociale në vendet perëndimore të BE-se dhe nga diferencat e mëdha mes vendeve perëndimore dhe lindore (edhe këto të fundit krejt të pakënaqura nga organizimi institucional dhe disavantazhet tregtare). Kriza shihet edhe në çarjen e marrëdhënieve BE-SHBA dhe ndryshimin në vizionin që këta të fundit kanë për aleancën dhe ndihmën ndaj BE-së.

Ndaj, edhe Kurtin e pret përpara një detyrë e vështirë ku ai do përballet jo vetëm me probleme politike-ekonomike të brendshme, por edhe me rolin e ri më aktiv të Serbisë e cila ndjehet shumë më e pavarur, guximtare dhe në pozicion më të fortë për të negociuar, më një Shqipëri të dobësuar e të drejtuar nga liderë oportunistë, kapriciozë dhe me besueshmëri të ulët, me një Evropë të fragmentuar dhe politikisht anti-zgjerim, si dhe me një SHBA interesat gjeopolitike dhe ekonomike të së cilës janë fokusuar më shumë nga Lindja e Mesme dhe sidomos Azia. Jo një Plan Marshall që nuk do ta marrë kurrë, por një politikë strategjike, e detajuar dhe specifike për çdo vend dhe marrëdhënie interesi është ajo që i duhet Kosovës. Për këtë, Kurtit do t’i duhet të ndërtojë një politikë të jashtme me një përqasje krejt të ndryshme nga politika pa plan dhe e bazuar tërësisht vetëm në pritshmerinë, kujdesin dhe bujarinë nga ndërkombëtarët.

Të gjitha sa më lart, nëse nuk kanë qenë të qarta më parë, duhet të jenë bërë të qarta për kryeministrin Kurti teksa zhvillonte takime me liderët perëndimorë në Konferencën e Sigurisë në Munih. Ai duhet ta ketë kuptuar që pesha e Kosovës në gjeopolitikën e SHBA-ve dhe BE-së ka pësuar rënie, që presioni për konformitet është më i madh ndaj Kosovës tashmë se ndaj Serbisë – pozicioni i së cilës është forcuar – dhe se ndihma më të zgjeruara politike-ekonomike nuk priten për Kosovën. Kjo është situata lokale dhe ndërkombëtare të cilën Kurti nuk e krijoi, por me të cilën duhet të përballet. Për këtë do t’i duhet që të krijojë një strategji afatgjate, bazuar në rendin dhe zhvillimet aktuale të cilat Kosovës deri më tani i kanë munguar krejtësisht. Kryeministri Kurti duhet të njohë dhe të pranojë kushtet reale të vendit të tij të cilat nuk janë të ngjashme më me jo vetëm me kohën e Planit Marshall, por as madje me atë të dy dekadave të fundit kur Evropa ishte akoma në fazën e saj të liberalizmit. Ajo periudhë ka mbaruar.

Komento: