Publikohen pamje të stadiumit që Serbia po ndërton në Mitrovicë të Veriut

16:33 | 19 Tetor 2020

Publikohen pamje se si do të duket stadiumi që po e ndërton Serbia në Mitrovicë të Veriut.

Është konfirmuar raportimi i televizionit T7 se në veri të Kosovës po ndërtohet nga shteti serb edhe një stadium futbolli. Sot, ndërkaq, janë publikuar edhe fotografi se si do të duket ky stadium.

Në lajmet qendrore të Televizionit T7 mbrëmë është publikuar kronika me titull “Serbia vazhdon investimet në Mitrovicën e Veriut”, e në të shpjegohet se në këtë pjesë të vendit është duke u ndërtuar edhe një stadium futbolli.

Për këtë çështje ka folur për televizionin edhe asamblisti nga radhët e PDK-së, Bashkim Cimili, që ka thënë se institucionet e vendit e kanë lënë anash këtë pjesë.

T7 ka kontaktuar edhe me ushtruesin e detyrës së kryetari të Mitrovicës Veriore, që e ka konfirmuar se është në dijeni për ndërtimin e stadiumit, por, nuk ka dhënë detaje të tjera.

Sot gjatë ditës, ndërkaq, janë publikuar edhe fotografitë se si do të duket stadiumi që është afër me stacionin hekurudhor në Mitrovicë të Veriut.

“Kështu do të duket stadiumi te lokacioni “Cesmice”, kanë shkruar në rrjete sociale teksa i kanë publikuar fotot.

Komento: