Albin Kurti dhe Isa Mustafa, pa i përmendur këtu dallimet aktuale mes tyre, si: mosha, gjendja shëndetësore e tyre, etj. jo aq të rëndësishme, – janë dy botëra të kundërta, madje diametralisht të kundërta. Për opinionin e gjerë në Kosovë dhe jashtë saj, – Kurti është i njohur si njeri i SAKRIFICËS, para, gjatë dhe pas luftës, për zgjidhjen e dejtë të çështjes sonë kombëtare. Mustafa, ndërkaq, është i njohur si njeri QELEPIRXHI, që ka përfituar nga gjendja e rëndë e shqiptarëve në Kosovë, para dhe gjatë luftës, por edhe pas përfundimit të saj, pa i munguar asnjë “qime floku” dhe pa iu prishur as “tymi i duhanit”.
*****
1. Albin Kurti, qysh para luftës, ishte angazhuar në rezistencën aktive të shqiptarëve, kundër okupimit serb në Kosovë. Si anëtar i kryesisë së UPS të UP-së, Kurti ishte njëri ndër udhëheqësit më të shquar të protestës historike studentore të 1 tetorit 1997, për lirimin e objekteve universitare të UP-së, të uzurpuara me dhunë nga regjimi i Milosheviqit;
Isa Mustafa, qysh heret, para luftës, ishte angazhuar në Partinë Komuniste të YU-së dhe ishte caktuar kryetar i Rininë së Kosovës. Në kulmin e procesit të gjatë të Diferencimit famëkeq ideo-politik të shqiptarëve dhe në kulmin e represionit barbar serb mbi shqiptarët, pas demonstratave të ’81-shit, Mustafa ngritet në pozitën e të parit të Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës (1984-88). Një vjet më vonë, në dhjetor 1989, kur Serbia e Millosheviqit ia mori Kosovës autonominë e vitit 1974, Isa Mustafa u bë sekretar për Zhvillim, Shkencë dhe Informim në Qeverinë e Jusuf Zejnullahut.
2. Gjatë luftës në Kosovë, (në gusht të vitit1998), Albin Kurti ka punuar si sekretar në Zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçi. Më 27 prill 1999 policia serbe e arrestoi Kurtin dhe, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, bashkë me të burgosurit e tjerë shqiptarë, Kurti transferohet në burgjet e Serbisë, ku dënohet me15 vjet burg të rëndë. Dy vjet pas burgosjes, si rezultat i presionit ndërkombëtar, Kurti lirohet nga burgu ;
Gjatë viteve 1990-99, pra në kohën më të rëndë për shqiptarët e Kosovës, Isa Mustafa ka jetuar në mërgim, me punë në Qeverinë Bukoshi, si ministër i Fondit 3 %, të mërgimtarëve tanë. Në saje të këtij fondi, ai edhe ka jetuar: ka ngrënë, ka pirë dhe ka shëtitur QYL, që nga Shqipëria deri te vendet perëndimore. Në saje të këtij fondi, Mustafa u trimërua aq shumë sa, në një moment të rëndë për Kosovën, për t’u imponuar si “Faktor vendimmarrjeje”, bashkë me Bukoshin, ai i bllokoi paratë e këtij fondi që ishin të dedikuara për financimin e rezistencës paqësore në Kosovë dhe, më vonë, edhe për luftën e UÇK-së, kundër okupimit serb në Kosovë.
3. Albin Kurti edhe pas luftës e ka vazhduar rebelimin e tij politik. Ai i ka kundërshtuar ligjet e ndërkombëtarëve, të dëmshme për shqiptarët dhe për Kosovën; e ka kundërshtuar Pakon e Ahtisarit, sidomos decentralizimin në baza etnike, që rezultoi me enklavizimin e territorit të Kosovës, dhe ishte kundërshtues i ashpër dhe i pakompromis i pushtetit të korruptuar dhe i plaçkitësve të pronave të Kosovës. Kurti ishte zëri më i fuqishëm dhe më i vendosur për të drejtën e shqiptarëve për VETËVENDOSJE! dhe për konsolidimin e shtetit ligjor në Kosovë;
Isa Mustafa duhet të jetë kthyer me ndruajtje të madhe në Kosovën e pasluftës. Disa vjet ai kishte qëndruar i heshtur dhe i tërhequr nga zhvillimet politike në Kosovë, mbase në pritje të kërkimit të llogarive të mundshme për menaxhimin e Fondit 3 % dhe për bllokimin e parave të atij fondi, por nuk kishte qëndruar kot, “me duar në xhepa”, siç i pëlqente të thoshte.
Në ndërkohë, nga pusia, ai e ka vëzhguar me vëmendje dhe aktivisht, gjithë situatën në vend, në pritje të momentit më të duhur, për t’u angazhuar në jetën politike, për përfitime të reja, edhe pas luftës. Këtë moment ia solli vdekja e dr. Rugova, njeriut të vetëm që do të ishte pengesë për ngritjen e Mustafës në kreun e LDK-së dhe, më vonë, edhe në kreun e institucioneve kryesore shtetërore të Kosovës. Fill pas vdekjes së dr. Rugovës (21 janar 2006), Mustafës iu hapën dyert e LDK-së.
4. Pas vdkjes së dr. Rugovës, Isa Mustafës ia hapi dyert e LDK-së anasi i tij, Fatmir Sejdiu. Ky i fundit, në atë kohë kryetar i LDK-së dhe, njëkohësisht, edhe kryetar i Kosovës, Mustafën e bëri këshilltar të lartë politik, në kabinetin e tij presidencial, ndërkaq, në vitin 2007 e propozoi kandidat të LDK-së, për kryetar të Prishtinës. Me Fatmir Sejdiun në krye të LDK-së, Mustafa u bë kryetar i Prishtinës në dy mandate.
Pas forcimit të pozitës së vet në LDK, Isa Mustafa ia ktheu shkelmat paraardhësit të tij dhe, në vitin 2010, “me hile”, siç ishte shprehur në atë kohë Sejdiu, Mustafa ishte bërë i pari i LDK-së dhe në atë pozitë ai po qëndron edhe sot e gjithë ditën. Gjatë gjithë KRYETARLLËKUT të tij, Mustafa i ka humbur të gjitha zgjedhjet.
Megjithëkëtë, si HUMBËS, ai tash nëntë vjet po qëndron në krye të LDK-së, një herë është zgjedhë (kundërligjshëm) kryetar i Kuvendit të Kosovës, herën tjetër kryeministër i Kosovës dhe tash, në fund, po e synon edhe postin e KRYETARIT të Kosovës(!). Gjatë karrierës së tij politike, ndërkaq, Isa Mustafa është “avansuar” edhe në shkencë. Nga viti 2012 ai është edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës;
Albin Kurti, në tubime me qytetarë dhe në debate në media e në Kuvendin e Kosovës, por edhe me protesta dhe demonstrata, në rrugë e sheshe të Prishtinës, deri te Dheu i Bardhë, në kufirin zyrtar Kosovë-Serbi, pastaj me parulla e me aksione simbolike, – e ka mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për referendum e për vetëvendosje, i ka kundershtuar Demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi, Asociacionin e komunave serve, Gjykatën Speciale, etj. Kurti është i vetmi nga liderët e Kosovës, që është përndjekur e është burgosur pas luftës, për aktivitetin politik dhe kombëtar të tij.
5. Raportet Kurti-Mustafa, në Kuvendin e Kosovës, por edhe jashtë tij, karakterizohen me akuza të rënda publike të Kurit kundrejt Mustafës, në njërën anë, dhe me fyerje të rënda publike të Mustafës kundrejt Kurtit, në anën tjetër, – të njohura për opinionin tonë e më gjerë.
6. Në historikun e raporteve politike të tyre, njihen dy raste të përpjekjeve për marrëveshje të Kurtit e Mustafës, për ndarjen e pushtetit. Përpjekja e parë ishte bërë pas Zgjedhjeve 2014, në kuadër të koalicionit të atëhershëm paszgjedhor VLAN (LVV-LDK-AAK-NK).
Mustafa atëbotë kishte kërkuar nga blloku VLAN, nominimin e tij për KRYEMINISTËR, por VLAN-i nuk e kishte pranuar kërkesën e tij. Mustafa, pastaj, në hidhërim e sipër, pas gjashtë muajsh bashkëpunimi me partnerët e tij në VLAN, iku prej tyre. I joshur me ofertën për pozitën e kryeministri, që i bëri Thaçi, Mustafa e lidhi koalicionin PDK-së dhe, kështu, ia siguroi vetvetes pozitën e kryeministrit të Kosovës.
Tash, pas Zgjedhjeve 2019, ka filluar përpjekja e dytë për marrëveshje të Kurtit me Mustafën për ndarjen e pushtetit. Tani, për dallim nga rasti i parë, nuk është më në pazar vetëm pozita e KRYEMINISTRIT, që ishte bërë “mollë sherri” e dështimit të përpjekjes së parë të tyre për marrëveshje, por janë dy pozita: pozita e KRYEMINISTRIT dhe pozita e KRYETARIT të Kosovës, që mund të përmbushin apetitet e të dyve për pushtet. Kjo përpjekje për marrëveshje mes Kurtit e Mustafës, për ndarjen e pushtetit, prandaj, pritet të rezultojë e sukseshme.