Qendrat tona të (ri)numërimit

16:39 | 06 November 2019

Prej tash e tutje, për shkak të përvojave më të reja, propozoj të ndërrohet emri i institucionit ku numërohet vota qytetare dhe emri i vetë numëruesve. Këta të fundit të quhen rinumërues, ndërsa institucioni të quhet “Qendra e Rinumërimit”. E meritojnë edhe mëditjen më të lartë. Edhe mirëkuptim.

Tash një muaj, duke numëruar, domosdo se do të habitej edhe numëruesi më i shkathtë e tespive, edhe pse ato kanë vetëm 33 kokrra, pak a shumë po aq sa duhen vite për të fituat pagabueshmërinë e numërimit. Po aq vota i duheshin edhe koalicionit në fjalë, për të kaluar pragun, dhe për t’u bërë kështu faktori numër një për formimin e qeverisë së re, në dhjetor. Kështu pat thënë Vuçiq, disa muaj më parë, dhe kështu do të bëhet. Pastaj është bërë traditë në politikën kosovare, që karrigen e kryeministrit e zë ai pa të cilin nuk bën, e jo ai i cili ka më së shumti vota.

Është bërë traditë, gjithashtu, se Marfi nuk e huq kurrë. Ende nuk i kemi numrat, edhe pse u bë një muaj i plotë nga data e zgjedhjeve. Kështu, numëro, numëro dhe pandërprerë numëro, gjithçka po shkon nën ankth, e jo si herëve të tjera kur numërohej pa shqetësim për marzhën e gabimit, sepse kësaj radhe dhjetë gishtërinjtë e dorës kanë vendosur se kush e kalon “pragun”. Nejse, për të qenë më korrekt, edhe gishtat e këmbës kanë vendosur. Ishin mbi 20 vota që duheshin.

Në fund të fundit, çka janë 10 apo 20 mijë vota. Derisa nëpër botë biznesmenët bëjnë biznese, e qytetarët përcaktojnë të ardhmen politike me votën e tyre, futbollistët rrotullojnë milionat në afatet kalimtare, te ne të gjithë merren me politikë. Politika është biznesi kryesor. Politikanët janë më të famshëm se futbollistët. Edhe pare kanë më shumë.

Kështu, vetëm me kalimin prej LDK-je në PDK të një “mesfushori” të politikës, kaluan andej edhe dhjetë mijë vota të “klasës” së tij punëtore, si pretendon vetë biznesmeni i cili vazhdimisht e mban mesin e fushës dhe del andej e këndej nëpër parti, sipas nevojave të biznesit.

Afati kalimtar i politikanëve është ai momenti politik kur çmimet prekin stratosferën, gati sa në kohën kur formohet qeveria, pas ri-ri dhe sërish rinumërimit. Sepse, siç e dimë, populli ynë liridashës ka problem me besimin. I zgjedh ata të cilëve nuk u beson. Pastaj, politika nuk është çështje besimi. Kush i beson politikës!? Është Pazar politika. Edhe rinumërimi.

Kaloi, nuk kaloi, kaloi… dhe prapë nuk kaloi. Derisa të botohet ky shkrim, nuk e di si do të mbetet puna, por unë se paku e di se nuk e di. Te ne të gjithë dinë gjithçka, kështu që… lere krejt!

Qendrat e Rinumërimit, si do të quhen këtu e tutje, ku përpos Milaimit të gjithë i kishin rinumëruesit e tyre në sallë, me shumë korrektësi e thanë fjalën e tyre. Edhe nëse kanë gabuar, njerëz janë, dhe vështirë se kanë gabuar me qëllim, sepse njëri-tjetrit nuk ia ndanin sytë.

Mund të kenë “gabuar” vetëm te votat e brendshme, brendapartiake, aty ku askush nuk i fuste hundët te tjetri. Në fund të fundit, gjithkund mund të ketë mospërputhje në mes votës popullore apo votës partiake. Pastaj, vota e brendshme dhe mund të negociohet.

Në rregull, as mos e vini në dyshim: vota e jashtme ruhej me kujdes maksimal nga rinumëruesit. Bëheshin se po hanë byrek apo hamburger, por sytë i kishin te votat. Në fund të fundit, me ato mëditje ushqim të shpejtë do të hanin. Nuk mund të merrnin nga partia pite dhe speca turshi. Mund të merrnin erë edhe kutitë e votimit.

Pra, nuk ka gjasa të ketë pasë vjedhje apo gabim. Duken hallall vota, do të thoshte dikush i mësuar të numëroj tespitë. Hallall, do të ketë thënë edhe Vuçiqi të cilit i doli profecia.

Kësaj radhe nuk pati nevojë as për “zonjën Meri”. Na tregoi vet presidenti serb, Vuçiq, se si është plani, se presidentit të Kosovës nuk i takonte të merrej me profeci në shtëpi të vet.

“Nuk ka qeveri para dhjetorit”, tha, dhe prognozoi po ashtu se tri partitë e para do të marrin pak a shumë përqindje të njëjtë, ku sipas tij e para do të marr 25 për qind, e dyta për një më pak dhe e treta, PDK,-ja do të dali me 22 për qind.

Jo de, take ishte, se nuk foli me emra Vuçiqi, presidenti i cili, siç e dimë, bashkë me presidentin tonë, ka kohë që po punon për të marrë Nobelin duke këmbyer territore, dhe është e kuptueshme se i ka bërë të gjitha llogaritë. Pra, tri partitë e para, pat thënë ai, do të kenë pak a shumë numër të njëjtë, mbi 20 për qind të votave secila dhe… bisedimet nuk fillojnë sivjet, pasi Prishtina nuk do të ketë qeverinë e saj deri në dhjetor.

Dhjetori ja ku është, vetëm të përmbyllet edhe ky cikël vicioz i rinumërimit. Veç po shihen shenjat e një krize të mirë.

“Mos e çoni poshtë këtë krizë të mirë”, do të thoshte dikur dikush, që pinte duhan me llullë…!

Këta tanët hanë molla dhe rinumërojnë, derisa të rinumërojnë ashtu siç e lyp interesi ynë (ndër)kombëtar!

Komento: