Qeveria i dërgon kërkesë Thaçit për hapjen e ambasadës në Izrael – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Qeveria i dërgon kërkesë Thaçit për hapjen e ambasadës në Izrael

09:48 | 20 Tetor 2020

Marrëveshja e arritur në Washington përfshinë njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot në një takim konsultativ me Ministren për Punë të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dha pëlqimin e tij për të dërguar te Presidenti kërkesën për hapje të misionit diplomatik në Izrael.

“Kryeministri theksoi se Izraeli është partner strategjik i Kosovës dhe se vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve vie si rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë”, thuhet në njoftimin për media.

Izraeli e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, si pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Kjo ka ndodhur menjëherë pasi në Washington janë nënshkruar marrëveshjet për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

Kujtojmë javë më parë, Kosova ka emëruar Ines Demirin, si e ngarkuar me punë e Republikës së Kosovës në Izrael.

“E nderuar që jam emëruar si e Ngarkuar me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael! Pres me padurim këtë̈ sfidë të madhe që nënkupton edhe pasionin tim të madh për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet midis Kosovës dhe Izraelit”, kishte shkruar Demiri.

Komento: