Ende asnjë lopatë me dhe nuk është hedhur në ndërtimin e autostradës nga Gjilani te Dheu i Bardhë, të cilën para më shumë se një viti e premtuan dy ministrat të Qeverisë “Kurti”, Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi.
Këta të fundit më 15 dhjetor të vitit 2023 kishin takuar deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në afërsi të “Dheut të Bardhë” për ta njoftuar personalisht se është miratuar buxheti i viti 2024, ku siç thanë janë ndarë mjetet financiare për realizimin e kësaj pjese të autostradës.
“Kemi kënaqësinë me të njoftu se dje sapo e miratuam buxhetin për me realizu autostradën nga Gjilani deri te Dheu i Bardhë. Qytetarët e Preshevës dhe Bujanocit kanë me pasë mundësi me shku nëpërmjet autostradës pa ndërprerje drejt në Tiranë”, pati deklaruar më 15 dhjetor 2023 ministri i Mjedisit Liburn Aliu i shoqëruar nga shefi i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, raporton portali Front Online.
Por, që nga ajo kohë asnjë lëvizje nuk ka ndodhë drejt realizimin të këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor për banorët e Anamoravës, siç nuk arritën ta përfundojnë as autostradën nga Prishtina deri në Gjilan të nisur në vitin 2018.
Për këtë të fundit vet kryeministri Kurti kishte deklaruar se do të përfundoj në vitin 2023, por që një premtim i tillë ende nuk është realizuar me arsyetimin se kanë gjetur shumë pengesa në projektin e nisur nga qeveritë paraprake.
Durmishi, Hyseni dhe Kryeziu nga VV-ja nuk përgjigjen për autostradën e Gjilanit
“Front Online” ka kontaktuar zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin për ta pyetur se pse nuk ka filluar kjo autostradë të ndërtohet, por i njëjti refuzoi të flasë duke thënë se “vetëm me e-mail mund të komunikojmë”.
Ndërsa, lidhur me këtë çështje kryetari i Gjilanit nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Hyseni refuzoi të flasë për “Front Online” duke thënë se ky projekt është i Ministrisë.
“Është projekt i Ministrisë”, tha shkurt Hyseni për “Front Online.
Për mos realizimin e autostradës së Gjilanit refuzoi të flasë edhe deputetja nga LVV-ja, e cila është nga ky qytet, Arbreshë Kryeziu.
“Ministria e Infrastrukturës mundet me ua dhënë detajet dhe i kanë dhënë. Besoj se duhesh me marr përgjigje prej tyre”, deklaroi Kryeziu për “Front Online”.
Në anën tjetër, partitë opozitare kanë kritikuar partinë në pushtet për mos realizimin e autostradave Prishtinë- Gjilan-Dheu i Bardhë, duke e cilësuar këtë si dështim total.
Haziri: Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, janë dështim total i Qeverisë “Kurti”
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mosrealizimin e autostradës Gjilan-Prishtinë dhe për premtimin e pa mbajtur për autostradën Gjilan-Dheu i Bardhë.
Haziri tha se gjatë katër viteve të fundit nuk është punuar asgjë për këto projekte dhe punimet e realizuara janë degraduar dhe dëmtuar.
Ai shtoi se, që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet, punimet janë ndalur nën pretekstin e “asgjëje”.
“Katër vite nuk është punuar dhe punimet e realizuara janë degraduar e dëmtuar. Që nga ardhja e Kurtit në pushtet janë ndalë punimet në emër të asgjëje. Anamorava është përjashtuar nga e drejta e saj. Këto autostrada janë dështime totale të kësaj Qeverie”, u shpreh Haziri për “Front Online”.
Kandidati i PDK-së për deputet: Jo veç Qeverisë, por edhe deputetëve të VV-së nga Gjilani kurrë nuk u ka interesuar përfundimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ilir Tahiri, ka folur lidhur me premtimin e Qeverinë për realizimin e autostradës Gjilan-Prishtinë dhe për premtimet e pambajtura lidhur me autostradën Gjilan-Dheu i Bardhë.
Sipas tij, kompania që kishte fituar tenderin për përfundimin e autostradës ka angazhuar një ekip avokatësh për të paditur Qeverinë për shkak të mosshlyerjes së pagesave.
Sipas Tahirit, dëmshpërblimi për këtë do të jetë po aq sa do të kishte kushtuar ndërtimi i autostradës.
“Kompania që e ka fituar tenderit për ta përfunduar autostradën e ka angazhuar një ekip të avokatëve me paditë Qeverinë për shkak të mungesës së pagesave. Dëmi do të jetë aq sa do të kushtonte autostrada sikur të ishte ndërtuar”, tha ai për “Front Online”.
Tahiri gjithashtu ka akuzuar Qeverinë dhe deputetët e VV-së nga Gjilani për mungesë vullneti për të avancuar këto projekte.
“Jo veç Qeverisë, por edhe deputetëve të Gjilanitu ka munguar vullneti të paktën që të flasin për këto projekte vetëm kanë bërë hajgare në Parlament, gojën se kanë qelë për projekte në Gjilan”, u shpreh Tahiri, i cili është kandidat për deputet i PDK-së nga Gjilani./FrontOnline/