
Me propozimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Sublla, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi vendimin kundër Antisemitizmit, duke e renditur kështu Kosovën përkrah shteteve aleate e strategjike të saj, në luftën kundër gjuhës së urrejtjes anti-semitike.
Shefja e diplomacisë kosovare, ka thënë se urrejtja ndaj hebrenjve ka shkaktuar edhe Holokaustin, që sot është ndër memoriet më të trishta dhe të turpshme të botës.
Ministrja Haradinaj Stublla ka theksuar se shteti dhe populli i Kosovës e di më së miri se çka do të thotë spastrimi etnik dhe zhbërja e identitetit.
“Kosova duke qenë vetë viktimë e ideve monstruoze të spastrimit etnik dhe zhbërjes së identitetit të saj, e kupton mirë peshën e diskriminimit”, ka thënë Haradinaj Stublla.
Duke përshëndetur vendimin e qeverisë, kryediplomatja Haradinaj ka thënë se ky vendim, dëshmon angazhimin e Kosovës për ta luftuar antisemitizmin në të gjitha format e saj.
“Miratimi i sotëm i vendimit të Qeverisë afirmon angazhimin për të promovuar dhe forcuar kujtesën ndaj Holokaustit, dhe për të luftuar Antisemitizmin në të gjitha format e saj, dhe është në harmoni me të gjitha shtetet demokratike që nuk njohin gjuhë të urrejtjes Anti-semitike”, është shprehur ministrja Haradinaj Stublla.
Me propozim të Ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar edhe propozim-vendimi për themelimin e Grupit Punues Ndërinststirucional për avancimin e rrugës integruese të Republikës së Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior NATO.
Po ashtu, në mbledhjen e Qeverisë është miratuar projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Italisë për transferimin e personave të dënuar.
Ekzekutivi sot ka miratuar edhe projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Likuiditet të Urgjencës së Infrastrukturës Vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ministrja e Financave Hykmete Bajrami për këtë çështje ka kërkuar që sa më parë të procedohet në Kuvend për ratifikimin e kësaj kredie që parashihet një shumë prej 30 milionë euro me një kosto të volitshme për Kosovën.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar projektligjin për të Drejtën Ndërkombëtare Private.