Qeveria reagon pas aksionit të PSD-së, dënon dhunën e shfaqur

22:32 | 16 Korrik 2021

Qeveria reagon pas aksionit të PSD-së: Jemi të shqetësuar nga pamjet e dhunës.

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas aksionit të sotëm të Partisë Socialedemokrate, ku u arrestuan tetë anëtarë të saj.

Qeveria në reagimin e bërë për medie thotë se është e shqetësuar nga pamjet e dhunës gjatë aksionit të PSD-s.

Në reagim ndër të tjera thuhet se përgjegjësi për operacionin e policisë tashmë është suspenduar, kurse Inspektoriati Policor i Kosovës po vazhdon hetimet e mëtutjeshme lidhur me rastin.

“Ne besojmë në të drejtën për protestë demokratike sepse ajo para se gjithash është një e drejtë e patjetërsueshme që kultivohet dhe garantohet në shoqëritë demokratike. E tillë është shoqëria jonë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës afirmon këtë të drejtë. Jemi të shqetësuar nga pamjet e dhunës sot gjatë një aksioni të Partisë Socialdemokrate. Policia e Kosovës ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit, qetësinë publike dhe mbrojtjen e pronës, duke respektuar të drejtat e njeriut. Përgjegjësi për operacionin e policisë tashmë është suspenduar, kurse Inspektoriati Policor i Kosovës po vazhdon hetimet e mëtutjeshme lidhur me rastin. Në qeverisjen demokratike nuk ka vend për dhunë nga askush”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Ndryshe, për dhunën e përdorur gjatë arrestimit të anëtarëve të Partisë Socialdemokrate në aktivitetin e sotëm, Policia e Kosovës ka suspenduar policin mbikëqyrës, ndaj të cilit njëkohësisht është iniciuar edhe procedura për përgjegjësi komanduese.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj është ndaluar për 48-orë, ndërsa aktivistët e tjerë janë liruar.

Komento: