Kjo që po ndodh aktualisht nëShqipëri bazuar në; (I) agresivitetin; (II) banalitetin dhe (III) shkallën e përfshirjes/konkurruese në banalitetin e tyre të drejtuesve dhe mbështetësve partiakë tëinstitucioneve kushtetuese, nuk gjendet në asnjë periudhë tjetër shtetformuese të vendit tone dhe vështirë se nuk gjendet në ndonjë republikë qoftë kjo edhe në Afrike. Kjo sepse fiset apo klanet e hershme të modeleve klanore qeverisëse nuk kanë akses online.
Ndërsa në fazat e hershme të shoqërive moderne burrat e shtetit kur ndjeheshin të fyer nga dikush e ftonin ofenduesin e tyre në duel, ku njëri prej tyre do të vritej dhe të tjerët do ta mësonin se burrat nuk e fyejnë lehtë njëri-tjetrin. Ajo që ishte fisnike edhe në këtë formë barbare ishte sepse edhe prapa duelit sërish kërkohej që ofenduesi publik të kërkonte falje dhe në qoftë se kjo arrihej, arma nuk shkrepej.
Sigurisht, qeverisja me fise, me klane apo me duele janë të pranishme në shoqëritë moderne, por rregulli moral se askush nuk duhet ta fyej në mënyre banale dhe publike kolegun duhet të ishte një rregull i artë dhe i detyrueshëm për tu zbatuar nga çdo individ dhe në veçanti nga individët që kanë peshë dhe përgjegjësi publike.
E vetmja armë e tyre për të “vrarë” ofenduesin tuaj publik për këtë mandateve tuaja publike mbetet dhe duhet të jetë suksesi yt në mandatet qeverisëse. Një ofendues publik mund të plagosë përkohësisht por nuk arrin te të vras kur përball tij janë qindra e mijëra mbështetës/jo mercenarë që besojnë tek ty për shkak të përmirësimit të jetës së tyre të përditshme.
Si mundet të përbetohen politikanët tanë përbaltës publik të njëri-tjetrit se janë përkushtuar për Shqipërinë, se po vuajnë nga lodhja e përmbushjes së të gjitha kritereve për të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, se më shumë sakrifica po bëjnë gjithçka për ta bërë më të lehtë dhe më të mirë jetën e shqiptarëve. Për fat të keq, ky virus i agresivitetit dhe banalitetit publik gjendet jo rrallë edhe në Kosovë, por aty deri tani është më pak i ashpër dhe vepron për periudha më të shkurtër se në Shqipëri.
Si mundet që me këtë agresivitet dhe banalitet t’i bindim realisht shqiptarët se Shqipëria po bëhet apo do të bëhet më mirë? Si mund t’i inspirojmë të rinjtë tanë ta duan dhe të mos e braktisin vendin tonë? Si mundet që të mos shqetësohemi se rreth 60% e shqiptarëve po e braktisin vendin e tyre sepse niveli kaq i lartë i braktisjes së vendit tonë nga njerëzit tanë është edhe modeli qeverisjes kushtetuese në çdo nivel, është efekti i agresivitetit dhe banalitetit publik.
Prandaj, ndalja dhe eliminimi i përhershëm i këtij modeli banale te të bërit debat publik është imediate për të sotmen dhe të ardhmen e vendin dhe kombit tonë.
Po ndaj me ju një model inspirues që më ka vlejtur në angazhimet e mia publike e politike dhe një rast konkret, ku ngërçi midis Presidentit dhe Kryeministrit lidhur me diplomacinë shqiptare, ku mos harmonizim midis tyre mbi prioritet e politikës së jashtme, lidhur me partnerët strategjikë dhe mungesa e qëndrimeve të unifikuara gjeostrategjike dëmton rëndë vendin dhe kombin tonë.
“Lufta” mediatike dhe diplomatike midis Presidentit dhe Kryeministrit dhe një mësim i vyer nga gjenerali Clark, i cili në vitin 2004, kur konkurronte për president të SHBA-ve përballë Presidentit Bush theksoi se në Amerikë Presidenti Bush është kundërshtari/armiku im politik, ndërsa kudo jashtë SHBA-ve ai është President i vendit tim. Ky detyrim etik është edhe për Presidentin në raport me Kryeministrin. Një shpjegim i përfshirjes time në diskutimet publike, aktualisht asnjë ambicie për angazhime politike, por ndjej një detyrim të përhershëm ndaj vendit tim për të kontribuar me analiza thellësisht të paanshme, jo partiake, profesionale, korrekte dhe me etikën maksimale të mundshme.
Qeverisja (që nënkupton jo vetëm qeverinë) me emocione apo akoma me keq, qeverisja me agresivitet dhe banalitet publik ushqen mospërputhjet deri në grindje publike, vështirëson arritjen e konsensusit dhe kompromiseve që janë thelbësore për mirëqeverisjen e një vendi.
Qeverisja me emocione rrit zhgënjimin publik, përkeqëson pritshmërinë publike për të tashmen dhe të ardhmen, dëmton ekonominë dhe përkeqëson në thelb qeverisjen e vendit.
Në këtë kontekst, kryeministri nuk mundet që në një takim me trupin diplomatik në Shqipëri të fokusohet në “debatet apo grindjet” e brendshme President-Kryeministër.
Kudo në botë takimet vjetore me diplomatë të huaj janë një mundësi e veçantë dhe instrument i drejtpërdrejtë për të ndarë vizionin e politikës së jashtme të vendit, për t’i bërë të qartë prioritetet e diplomacisë kombëtare dhe me një gjuhë diplomatike qartësohen partnerët strategjik dhe sidomos dërgon mesazh tek “kundërshtarët” e përhershëm, sidomos tek vendet që historikisht nuk bashkëpunojnë apo pengojnë prioritetet e diplomacisë kombëtare të vendit dhe kombit tonë, për interesat e tyre gjeostrategjike ndaj një vendi apo në një rajon tonë.
Diplomacia penguese e këtyre vendeve vështirësojnë apo pengojnë realizimin e vizionit, misionin dhe prioritetet e diplomacisë shqiptare në zhvillimet rajonale dhe angazhimeve të saj në organizatat ndërkombëtare.
Takimet vjetore me diplomatët e huaj apo edhe me gjithë ambasadorët e vendit kudo në botë, janë mënyra më e mirë për të paraqitur pozitivisht vendin tuaj dhe për të konfirmuar se për politikën e jashtme, për integrimet euro-atlantike dhe për partneritet strategjike, institucionet kushtetuese të vendit janë të unifikuara dhe të përkushtuara.
Nëkëto takime vjetore me diplomatët e huaj që organizojnë Presidentët ose kryeministrat këshillohet të mos përfshihen pa pajtueshmëritë, mosmarrëveshjet e brendshme dhe asnjëherë debatet midis institucioneve kushtetuese.
Nga të gjithë politikanët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese duhet të respektohet kultura institucionale dhe disa nga rregullat e arta të komunikimit diplomatik.
Minimalisht stafi diplomatik i çdo presidenti, kryeministri, kryetar Kuvendi, ministri dhe çdo përfaqësuesi i drejtuesve të institucioneve kushtetuese duhet të ketë një draft dokument kornizë/templet/shabllon i cili qartëson, kufizon dhe imponon një strukturë minimale të një fjalimi. Ky draft i qartëson dhe imponon kufizimet se çfarë nuk duhet të përfshihet në një komunikim diplomatik.
Politikanët dhe përfaqësuesit e institucioneve kushtetuese të vendit tonë duhet të ndjejnë përgjegjësinë se në asnjë rast në komunikimet politike dhe në veçanti në komunikimet diplomatike ata nuk përfaqësojnë thjeshtë vetveten.