QKUK realizon me sukses një operacion të rrallë tek një foshnjë njëjavëshe

10:30 | 03 Korrik 2026
qkuk-realizon-me-sukses-nje-operacion-te-rralle-tek-nje-foshnje-njejaveshe

Ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale të rrallë tek një foshnjë njëjavëshe, e diagnostikuar me teratomë kongjenitale orofaringo-nazofaringeale (Epignathus), një patologji jashtëzakonisht e rrallë që rrezikon seriozisht frymëmarrjen dhe ushqyerjen.

Sipas mjekëve, kjo patologji paraqitet me një incidencë prej rreth 1 në 35.000 deri në 1 në 200.000 lindje të gjalla dhe shoqërohet me mortalitet shumë të lartë, deri në 80–100 për qind, nëse nuk sigurohen me kohë rrugët e frymëmarrjes.

Pas diagnostikimit të hershëm, ekipi i Klinikës së Neonatologjisë siguroi në mënyrë emergjente rrugët e frymëmarrjes, ndërsa më pas foshnja iu nënshtrua ekzaminimeve radiologjike dhe vlerësimit multidisiplinar.

Menaxhimi i rastit u realizua nga ekipi i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale në bashkëpunim të ngushtë me ekipet e Neonatologjisë, Anesteziologjisë, Radiologjisë dhe Institutit të Patologjisë.

Ndërhyrja kirurgjikale u udhëhoq nga dr. Alban Olluri, me mbështetjen e ekipit të anesteziologëve të udhëhequr nga dr. Agreta Gashi Gecaj.

Gjatë operacionit, tumori u largua në tërësi, duke ruajtur maksimalisht strukturat anatomike përreth dhe pa komplikime intraoperative.

Sipas QKUK-së, ecuria postoperative ka qenë shumë e favorshme. Foshnja tashmë merr frymë spontanisht, ushqehet normalisht dhe vazhdon të jetë nën përkujdesjen e ekipeve mjekësore.

Ky rast konsiderohet ndër arritjet më të rëndësishme të QKUK-së në trajtimin e patologjive të rralla dhe komplekse tek të porsalindurit, duke dëshmuar nivel të lartë të ekspertizës profesionale, bashkëpunim multidisiplinar dhe kapacitete të avancuara klinike.

Komento: