Quni: Nëse për Qeverinë ‘Kurti’ mungesa e partneritetit me SHBA-të nuk është asgjë, për Kosovën është

19:03 | 15 Shkurt 2024


“Tepër shqetësuese”.

Kështu po e vlerëson deputeti i LDK-së, Anton Quni deklaratën e O’Brien që vë në pikëpyetje partneritetin me Qeverinë kosovare, pas vendimit me dinarin.

Ai tha se nuk është e lehtë të jepet një deklaratë e tillë nga ata që kanë qenë mbështetës të hershëm për liri e pavarësi.

Quni thotë për Front Online se nëse për qeverinë mungesa e partneritetit me SHBA nuk është asgjë për Kosovën është.

“Deklarata e O’Brien është tepër shqetësuese. Jam i bindur se një deklaratë e tillë nuk është e lehtë që të thuhet nga ata që kanë qenë mbështetës të hershëm dhe vendimtarë në krejt procesin e rrugëtimit tonë për liri e pavarësi. Nëse për Qeverinë aktuale mungesa e partneritet me ShBA-në nuk është asgjë, kjo nuk vlen edhe për Kosovën, sepse një gjë e tillë është edhe e pamerituar, edhe e papërballueshme”, u shpreh Quni.

Qeveria ‘Kurti’ nuk ka marr besim që të konfrontohet me aleatët e vendit, thotë deputeti Quni.

Ai tha se Kosova krahas Serbisë ka gjithmonë të drejtë por me koordinim të ndërkombëtarëve.

“Çdo lëndim i raporteve me SHBA, është i dëmshëm për vendin tonë, për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ndaj, është i papranueshëm, është keq. Kjo Qeveri nuk ka marrë besim që të konfrontohet me aleatët tradicional të vendit tonë. Kosova në të gjitha rastet përballë Serbisë ka të drejtë.

E drejta e Kosovës është e padiskutueshme. Mirëpo, kjo e drejtë e koordinuar me miqtë ia mundëson Kosovës që t’i arrij qëllimet e duhura e të domosdoshme pa asnjë zhurmë, pa asnjë spektakël situatash të krijuara pa nevojë që nuk i duhen vendit tonë, por iu duhen kundërshtarëve tanë”, theksoi Quni.

Nuk dua të besoj që vendi ynë prapë të ngarkohet me sanksione, tha deputeti i LDK-së.

“Do të ishte një lajm tepër i hidhur, i keq. Nuk i dua lajmet e këqija për vendin. Njëherit, apeloj për angazhim që Kosovës t’i hiqen sanksionet që i ka mbi supe”, përfundoi Quni.

Komento: